Pranga përgjegjësit të tragjedisë së 9 janarit. Arrestohet në Itali Viron Robaj

09/03/2015 00:00

Forcat italiane të Rendit kanë arrestuar në qytetin e Peruxhas shtetasin shqiptar Viron Robaj, 40 vjeçar, i konsideruar si një prej përgjegjësve kryesorë të fatkeqësisë së 9 janarit të 2004.

Atë datë, në kanalin e Otrantos, mbytja e një gomoneje çoi në vdekjen e 21 personave dhe zhdukjen e 7 të tjerëve. Një tragjedi, që do të mund të ishte evituar, nëse skafistët do të kishin kërkuar ndihmë në kohë.

Drejtësia shqiptare kishte dënuar me 25 vjet burg Viron Robajn, me akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore, dhe prej vitit 2005 ai është i kërkuar në nivel ndërkombëtar. Policia e Peruxhas po e përgjonte prej kohësh 40-vjeçarin shqiptar, sepse dyshohej si trafikant ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Pas një kontrolli, personi në fjalë u identifikua, megjithëse në pasaportë kishte gjeneralitetet e një emigranti me banim në Angli.

Ata që konsiderohen autorët e ngjarjes janë arrestuar të gjithë në Itali. Në  5 dhjetor të 2007-s, në Prato të Toskanës, policia pati arrestuar një tjetër prej përgjegjësve kryesorë të fatkeqësisë së 9 janarit. Ishte Nazmi Hykaj, i dënuar në Shqipëri me 25 vjet burgim.

Më 11 nëntor të vitit 2012 u arrestua në Romë Altin Belulaj, i dënuar me 20 vjet, po për të njëjtën ngjarje dhe më pas i liruar nga drejtësia shqiptare. Ndërsa në mars të vitit 2012, një patrullë karabinierësh arrestoi në periferi të qytetit të Udines, në veri të vendit, shtetasin 43-vjeçar shqiptar, Cukal Delija, i dënuar në Shqipëri me 25 vjet heqje lirie, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të njerëzve për një nga ngjarjet më të rënda të emigracionit shqiptar.

Top Channel