Mashtrohen nga firma e ndërtimit, 10 gra në grevë

09/03/2015 00:00

Dhjetë gra kanë hyrë në grevë urie në ambientet e pallatit ku prisnin të merrnin apartamente, për shkak të konfliktit që kanë me pronarin e firmës së ndërtimit.

Bëhet fjalë për 17 familje të cilat kanë dhënë shtëpitë e tyre për të ndërtuar një pallat në zonën Unazës së Re në kryeqytet, në këmbim të marrjes së sipërfaqeve të banimit, sipas një kontrate të nënshkruar me kompaninë e ndërtimit.

Përsa kohë pallati ka qenë në ndërtim, sipas një marrëdhënieje kontraktuale, pronari i firmës së ndërtimit u ka paguar qiranë banorëve për të jetuar diku tjetër.

Prej katër vitesh, ai ka ndërprerë pagesën për qiranë dhe kur pritet të përfundojë së ndërtuari pallati, u ka komunikuar se nuk do të marrin shtëpi në këtë objekt, por kur të ndërtojë objekte të tjerë.

“Ne kërkojmë ndihmë nga shteti. Kemi 6 vjet që vijmë vërdallë, ndërsa zotëria nuk na paguan asgjë dhe kemi mbetur në mes të 4 rrugëve”, tha një prej grave greviste.

“Kam dhënë shtëpinë që në 2009, kam katër vjet që më ka ndërprerë qeranë dhe më ka thënë se nuk do kem shtëpi këtë herë, por herës tjetër”, u shpreh një tjetër.

Pas përpjekjeve të herëpashershme për të gjetur një zgjidhje, burrat këtë radhë kanë vendosur të fusin gratë në grevë urie, ndërkohë që kërkojnë zgjidhje nga instancat përkatëse.

“Rrugë tjetër nuk kemi. Kemi 15 ditë që rrijmë këtu dhe s’kemi marrë asnjë përgjigje. Firma ndërtuese është ‘Namik Pelivari’”, tha një prej tyre.

Ndonëse kanë provuar dhe herë të tjera të protestojnë, madje kanë zhvilluar dhe procese gjyqësore me pronarin e firmës ndërtuese dhe nuk ia kanë dalë, këtë radhë shprehen të vendosur për të mos hequr dorë, deri në zgjidhjen e këtij problemi.

Ky nuk është konflikti i vetëm ndërmjet banorëve dhe firmave që marrin përsipër të ndërtojnë pallate në pronat e qyetarëve, pasi marrëdhënia kontraktuale që lidhet mes palëve, edhe pse firmoset para noterëve, shpeshherë rezulton fiktive.

Top Channel