“Trepça” ndërpret prodhimin. S’ka licencë për shfrytëzimin e minierave

09/03/2015 00:00

Kombinati metalurgjik “Trepça” ka ndërprerë prodhimin në mungesë të licencës, e cila i ka skaduar.

Stafi menaxherial i Trepçës ka njoftuar përmes një komunikate për media, se minierat në Stan Tërg dhe në Artanë janë pa licencë që nga 24 janari i vitit 2015, edhe pse kompania ka aplikuar me kohë për rinovimin e licencës.

Në pamundësi të prodhimit, në mungesë të licencës së shfrytëzimit, këto dy miniera por edhe “Trepça” në përgjithësi, sipas stafit drejtues do të jetë në gjendje të rëndë financiare.

Komisioni i pavarur për Miniera dhe Mineralet, që është kompetent për lëshimin e licencave, nuk mund të rinovojë asnjë licencë, pasi ky institucion prej disa muajsh nuk ka bord udhëheqës dhe rrjedhimisht nuk është duke funksionuar.

Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë për emërimin e anëtarëve të bordit të Komisionit për Minerale dhe Miniera, është në pritje të propozimeve të Qeverisë për të proceduar më tutje.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvend, deputeti Muhamet Mustafa, tha përmes telefonit për Top Channel se konkursi për anëtarët e bordeve tashmë është mbyllur dhe po presin që Qeveria gjatë javës t’i procedojë në Kuvend.

Mustafa tha se, në momentin që do t’i pranojnë emrat, Kuvendi do të vendosë për anëtarët e bordeve dhe do t’i hapë rrugë funksionimit të institucioneve, si ai i minierave dhe mineraleve.

Derisa Qeveria dhe Kuvendi të zgjedhin anëtarët e bordeve, minierat e Trepçës, sipas komunikatës së lëshuar nga stafi menaxherial, do të jenë në vështirësi për shkak të pamundësisë së punës në to.

Top Channel