Ekzaminimet e mamografisë lëvizëse: 10 në 1 mijë gra, me tumor në gji

09/03/2015 00:00

Ekzaminimet për kancerin e gjrit që po kryhen me njësitë lëvizëse të mamografive kanë nxejrrë në pah numrin e lartë të grave të prekura nga tumori i gjrit.

Mesatarisht 10 në 1 mijë gra janë diagnostikuar me këtë sëmundje, një pjesë e të cilave po e mëson shpejt dhe në kohën e duhur se është prekur nga ky tumor, duke mos i lënë kohë të avancojë në heshtje.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka monitoruar nga afër njësinë lëvizëse që po kryen ekzaminime në bashkinë e Kuçovës, nga ku garantoi se ky shërbim do t’i mundësohet të gjitha grave në periferinë më të largët.

“Sigurisht që parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm janë synimet tona kryesore për të ruajtur shëndetin e popullsisë, si dhe për të bërë arritjen e mbulimit universal. Besojmë se ofrimi pa pagesë i këtij shërbimi për qytetarët duhet të shoqërohet me akses univerisal, sepse vërtet mund të gjejnë shërbime pa pagesë, por janë larg nga qendrat ku qytetarët banojnë, ndaj dhe dy njësitë lëvizëse i ofrohen qytetarëve kudo që ndodhen”, deklaroi Beqaj.

Çdo muaj ekzaminohen 600 gra. Mamografitë lëvizëse kanë qenë në Gjirokastër, Ersekë, Përmet dhe do të kalojnë në të gjitha qendrat shëndetësore në vend për të ofruar këtë mundësi falas, tha Beqaj.

Instituti i Shëndetit Publik po bashkëpunon me të gjitha drejtoritë e shëndetit publik dhe spitalet rajonale për organizimin e fushatave sensibilizuese, menaxhimin e fluksit të grave, si dhe orientimin e tyre për ekzaminime shtesë.

Top Channel