Rruga në Kosovë me emrin “Sllobodan Millosheviç” në Ranillug

09/03/2015 00:00

Kërkesa për emërtimin e një rruge me emrin e Slobodan Millosheviçit në komunën e Ranillugut është miratuar “sipas procedurave të Kuvendit të kësaj komune” dhe tashmë pritet vetëm vendosja e tabelës që mban këtë emër.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion ‘Evropa e Lirë’ Sasha Alleksiç, kryesues i Kuvendit të Komunës së Ranillugut.

“Unë jam përfaqësues i pushtetit legjislativ. Në bazë të të gjitha normativave dhe në bazë të ligjeve, konkretisht pasi atje ekziston një rrugë me emrin Slobodan Millosheviç, i kemi udhëzuar këshillat e fshatit dhe këshilltarët që t’i bëjnë listat e rrugëve”, tha Aleksiç.

Ai thotë se e ka të qartë se emërtimi i rrugës me emrin e  Millosheviçit mund të nxisë reagime, por ai, siç thotë, “nuk mundi të bënte asgjë më shumë sesa ta zbatonte ligjin”.

Megjithatë, ai ka shpjeguar se miratimi i Kuvendit Komunal të Ranillugut për emërtimin e rrugëve, nuk është hapi i fundit në këtë proces: “Mund të ekzistojë një vendim i kryetarit apo Ministrisë për kthimin e kësaj çështjeje në procedurë të Kuvendit. Ekzistojnë mundësitë që kjo të hidhet poshtë. Ta zëmë që nesër mund të më vijë vendimi nga Ministria për anulimin e këtij vendimi dhe unë si kryetar i Kuvendit të komunës, jam i obliguar që sërish ta kthej në shqyrtim.”

Kuvendi Komunal i Ranillugut udhëhiqet nga përfaqësues të Listës Serbe. Kjo komunë është krijuar gjatë procesit të decentralizimit të pushtetit qendror, sipas planit Ahtisari.

Top Channel