Naço-gjyqtarëve: Politika më të ashpra penale

09/03/2015 00:00

Pasi ka përfunduar analizën në Gjykatën e Apelit, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, artikuloi qartë kërkesat e qeverisë për një ashpërsim të politikës penale për krimet që parashikohen mbi 5 vjet burg.

“Kërkova ashpërsimin e politikës së dënimit për veprat penale që marrin mbi 5 vjet burg dhe dënime më të buta ose alternative për ato vepra, për të cilat parashikohet nën 5 vjet dënim”, deklaroi Naço.

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë u ka kërkuar gjyqtarëve dënime të ashpra edhe për vjedhësit e energjisë.

“Një ashpërsim i politikës së dënimeve duhet edhe për ata që vjedhin energjinë. Jo për ata që e bëjnë për bukën e gojës, por ndaj atyre që e vjedhin prej vitesh. Ndaj tyre politika duhet të jetë më e ashpër”, nënvizoi Naço.

Korrigjimi i sistemit nga vetë gjyqtarët është reforma e duhur në drejtësi, për Nasip Naçon.

“Vetëkorrigjimi i sistemit, që ishte një nga pikat kryesore të fjalimit tim, është se u takon gjyqtarëve të përmirësojnë punën e tyre. Nuk kam ndërmend që me reformat e nisura t’i ndërroj zemrën një gjyqtari apo një prokurori, por format e tilla duhet të ndryshohen nga vetë ata”, shtoi Naço.

Në vitin 2014, Gjykatat e Apelit në vend kanë gjykuar 2 mijë e 300 çështje më shumë se në 2013-n, me të njëjtin numër gjyqtarësh.

Top Channel