Bushati pret Lajçak, kryediplomati slloven: Integrimi në dorë të Shqipërisë

09/03/2015 00:00

Në vizitën e tij në Shqipëri zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak u shpreh pozitiv mbi rrugën europiane të Shqipërisë, por sipas tij punën më të madhe duhet ta bëjë vetë Shqipëria.

“Ju do të keni shumë reforma që duhet të përmbyllen dhe mund t’ju them dhe nga përvoja e vendit tim  që këto reforma nuk janë të lehta, por këto përpjekje ja vlejnë tërësisht dhe do të shikoni që në fund ato do të jenë përpjekje që do të sjellin rezultate të mira sepse do të përmirësohet jeta e qytetarëve shqiptarë. Ky duhet të jetë një pozicion mbi çdo interes tjetër, qofshin këto interesa politike. Ndaj unë dëshiroj që të nxis dhe të inkurajoj të gjithë aktorët, qofshin shtetërorë apo joshtetërorë që Shqipëria të ecë përpara më shpejt në rrugetimin e saj drejt BE-së. Unë po ashtu vlerësoj kthimin e opozitës në parlament sepse në demokracitë europiane është parlamenti i vetmi vend legjitim për diskutimet që bëhen në vend”, deklaroi Miroslav Lajçak, zv.Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Çështjeve Europiane i Sllovakisë.

Nga ana e tij, Ministri Bushati deklaroi se duhet të rritet bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, ndërsa deklaroi se falë mbështetjes së Sllovakisë në Shqipëri do të ngrihet së shpejti Fondi i Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë Ministerialit të fundit të vendeve të Vishegradit, nën kryesinë e radhës së Sllovakisë, siç i kemi bërë me dije opinionit publik, u kurorëzua dhe vendimi për krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, një nismë e parë rajonale që mbledh së bashku vendet e Ballkanit perëndimor dhe do të ketë selinë në Tiranë. Falënderoj të gjithë vendet e Vishegradit, por veçanërisht Sllovakinë, si kryesuesja e radhës, si dhe mikun Lajçak, për mbështetjen dhe durimin e treguar për gjenerimin e një konsensusi ndërmjet vendeve të Ballkanit perëndimor për të pasur selinë në Tiranë. Gjithashtu, sot patëm mundësinë të diskutonim për hapat që do të ndërmarrim në mënyrë që selia e Fondit dhe vetë Fondi të bëhen operacionalë, duke pasqyruar në këtë mënyrë modelin e suksesshëm të bashkëpunimit të vendeve të Vishegradit edhe për vendet e Ballkanit perëndimor. Në këtë kontekst, patëm mundësi të diskutonim edhe për zhvillimet e fundit në rajon”, deklaroi Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Top Channel