BQE, nis programi i blerjes së detyrimeve shtetërore

09/03/2015 00:00

Banka Qendrore Europiane nis sot blerjen e obligacioneve shtetërore, një program ambicioz që tenton të realizojë disa objektiva njëherësh.

Planet e BQE-së janë të blejë borxhet e vendeve të euros dhe të institucioneve publike, si Banka Evropiane e Investimeve, apo banka shtetërore gjermane “KfW”. Ato të gjitha huazojnë parà nga lëshimi i obligacioneve shtetërore, që kanë një afat të caktuar dhe norma interesi fikse.

Bonot mund të tregtohen lirisht dhe mund të shiten dhe të blihen në tregjet financiare. Meqë BQE-ja e ka të ndaluar financimin e drejtpërdrejtë të shteteve – sqaron “Deutsche Welle”, – ajo mund të blejë bono vetëm në tregun sekondar, domethënë nga bankat apo investitorët institucionalë.

Obligacionet nga Greqia dhe Qiproja fillimisht janë përjashtuar nga blerja. Këto vende duhet të tregojnë, së pari, se kanë përparuar në programet e tyre të reformave. Kësaj i shtohet edhe fakti se Banka Qendrore Evropiane nuk lejohet të blejë më shumë se një të tretën e të gjitha obligacioneve të një vendi.

Nëpërmjet programit të shumëmediatizuar, institucioni i drejtuar nga Mario Draghi synon të luftojë inflacionin e ulët. Përveç kësaj, Banka dëshiron të sigurojë që ekonomitë familjare dhe bizneset të mund të marrin më shumë kredi. Kjo bëhet zakonisht përmes reduktimit të normës bazë të interesit.

Por, meqë kjo vështirë se mund të zvogëlohet edhe më tej, aktualisht është rreth 0,05 për qind, BQE-ja shpreson tani të arrijë një efekt me blerjen e obligacioneve. Shpallja e programit të blerjes pati ndikim të shpejtë në tregjet monetare, e çoi në uljen kursit të euros kundrejt dollarit amerikan. Aktualisht, euro është aq e dobët sa asnjëherë tjetër, që nga viti 2003.

Top Channel