Reagime të mëdha kanë krijuar në Greqi dhe jashtë saj, deklaratat e ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos, që ka thënë se nëse partnerët europianë nuk gjejnë një zgjidhje për krizën aktuale të vendit, Athina do të pajisë me dokumente të gjithë emigrantët e paligjshëm që ndodhen në territorin grek, duke i lejuar ata të shkojnë në kryeqytetet e tjera europiane.

Deklarata e tij është bërë vetëm disa orë para negociatave të samitit të ri të Eurogrupit dhe një javë pas vendimit të Qeverisë greke për evakuimin e 30 qendrave të përkohshme të paraburgimit në të gjithë vendin, të cilat gradualisht do të mbyllen, duke larguar prej tyre mijëra emigrantë të huaj.

“Nëse ata përpiqen të godasin Greqinë, duhet të dinë se nesër në mëngjes ne pezullojmë Traktatin e Dublinit II. Emigrantët marrin dokumentet dhe kartat e identitetit dhe shkojnë në Berlin. Nëse midis tyre ka edhe disa që kanë kaluar kufijtë dhe nuk janë kontrolluar, nëse janë në anën e ISIS-it, do të ishte përgjegjësia e Europës, që ka vendosur të godasë Greqinë”, ka thënë Panos Kammenos, ministër i Mbrojtjes.

Kammenos është njëkohësisht edhe lider i “Grekëve të Pavarur”, një partie nacionaliste të krahut të djathtë, pjesë e koalicionit qeveritar me radikalët e majtë, por që shpreh qëndrime të kundërta përsa i përket politikave të emigracionit, që Qeveria “Tsipras” kërkon të zbatojë.

“Unë besoj se kur shkon të negociosh nuk duhet të bësh shantazh. Përshtypja ime, kur e dëgjova, ishte negative, nuk ka vend për shantazh gjatë negociatave. Besoj se diplomacia nuk mbështetet te shantazhet impulsive, por mbi një dialog bashkëpunimi serioz dhe të përgatitur më parë”, thotë Philipos Farmakis, nëpunës civil.

Disa ditë më parë, zv.ministri i Rendit Yannis Panousis ka ngjallur polemika me deklaratën e tij, se ndoshta Greqia përkohësisht duhet të anulojë marrëveshjen e “Schengen”-it, në mënyrë që të largohen drejt Europës gjithë emigrantët e huaj që ndodhen në të.

Në të njëjtën kohë, në samitin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Riga, dy ditë më parë,kreu i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, kishte paralajmëruar se nëse Greqia do të shkatërrohet ekonomikisht, do të ketë një valë të madhe e të pakontrollueshme prej miliona emigrantësh, midis tyre dhe xhihadistë, që do t’i sulen Europës, deklarata këto që janë kritikuar ashpër nga opozita vendase dhe shtypi europian.

Top Channel