Ngrihet në fluturim avioni i parë me energji diellore

09/03/2015 00:00

U nis nga një aeroport i Abu Dhabit “Solar Impulse 2” (Si2), avioni që emëton zero lëndë helmuese në atmosferë dhe që djeg po zero karburant.

Ideja për të ndërtuar një avion që ‘ushqehej’ me energjinë diellore është hedhur prej “Piccard”, kompani që vepron në fushën e aeronautikës dhe pasardhëse e një dinastiue shkencëtarësh ‘aventurierë’ zviceranë.

“Si2” ka 17 mijë panele në krahët e tij të gjatë 72 metra, aq sa krahët e një “Airbus A380”, por peshon më pak se 1 përqind se ky i fundit falë ndërtimit me fibra karboni.

“Si2” funksionon me anë të energjisë diellore që e siguron prej paneleve të vendosura në gjithë trupin e tij. Synimi i drejtuesve të projektit është në 5 muaj t’i biem globit rreth e përqark me këtë mjet fluturues.

Udhëtimi është i ndarë në 12 etapa të ndryshme. Etapa e parë, që nisi me ngritjen nga aeroporti i Abu Dhabit përfundon pas 12 orësh në Maskate, kryeqytetin e Omanit.

Një avion normal këtë distancë e përshkon për 50 minuta, por “Si2” udhëton nga 50 deri në 100 kilometër në orë, jo më shumë.

Pas Omanit ndalesa e radhës do të jetë India e më tutje Birmania. Sfida e madhe është udhëtimi përmes Paqësorit për të mbërritur në ishujt Hauai në Shtetet e Bashkuara, por projektuesit shprehen optimistë.

Top Channel