“Futbollistët” gjermanë, disfatë në Bubq…

09/03/2015 00:00

Në edicionin e 6 të turneut “Panajot Pano”, ekipet e gazetarëve shqiptarë u trembën, sepse këtë vit të ftuar ishin edhe ekipi i gazetarëve gjermanë të “Deutsche Welle”-s.

Por, gazetarët gjermanë nuk mundën të ndiqnin gjurmët e futbollistëve të kombëtares gjermane, që u shpallën kampionë bote në Brazil. Të shtunën e 7 marsit, kupën në Bubq e ngriti ekipi i gazetarëve të “Tring”, që në finale mundi ekipin e “SuperSport”.

TCH: Bahri, ndoshta humbën gjermanët, sepse kishin një trajner shqiptar?

“Natyrisht që jo. Ndoshta është edhe e mundur, por ne nuk kemi humbur në këtë turne. Madje kemi fituar shumë, sepse kemi fituar eksperiencë. Kemi fituar shumë miqësi, duke qenë se jemi njohur me shuë kolegë nga Shqipëria, natyrisht edhe me kolegë nga Kosova dhe Maqedonia. Vërtet humbëm një ndeshje, por kemi fituar shumë më tepër nga sa kemi humbur”, thotë Bahriu.

“Gazetarët shqiptarë luajtën shumë mirë. Dua t’i përgëzoj për perfromancën e tyre. Për ne është e mrekullueshme të jemi këtu, të përjetojmë këtë mikpritje të ngrohtë dhe, nëse fitojmë apo humbasim, nuk ka rëndësi”, thotë Johan.

Të gjithë shqiptarët njohin legjendat e futbollit gjerman, si Beckenbauer, Muller etj. Ndërsa tani, gjermanët njohin edhe legjendën e Kombëtares shqiptare dhe Partizanit.

“Dëgjoj për herë të parë për Panajot Panon, por jam shumë i impresionuar sesa shumë nderohet ai. Do të kthehem në Gjermani dhe do të kërkoj më shumë informacion për të”, shprehet Henrik.

Nemanja Rujeviç, gazetari serb i cili punon për “Deutsche Welle”, nuk kishte marrë ndonjë “drone” me vete për të surprizuar kolegët shqiptarë.

TCH: Ku është droni?

“Nuk e di. Është në Beograd, nuk e kemi gjetur ende”, thotë Sink Nemanja.

Gazetarët shqiptarë nuk i toleruan gazetarët gjermanë në fushën e lojës, por jashtë saj i trajtuan ashtu siç u ka hije miqve, që vijnë nga larg. Organizatori i turneut “Luajmë për Panon”, Dëfrim Methasani, përveç anës sportive kishte menduar, që miqtë nga Gjermania të njihnin edhe Shqipërinë.

“Patëm një mikpritje të mrekullueshme. Vij për herë të parë këtu dhe jam mjaft i kënaqur. Nuk kam përjetuar asnjëherë një mikpritje të tillë. Tani kam shumë arsye për t’u rikthyer sërish”, tha Henrik.

“Ushqim i mrekullueshëm, qytet i mrekullueshëm, njerëz të mrekullueshëm”, tha Nemanja.

“Kemi kaluar ditë të bukura festive. Ka shumë gjëra për të parë në këtë vend, njerëz të mirë për të takuar, pra ia vlen të rikthehesh”, tha Johan.

Ata na premtuan se do të rikthehen dhe që tani kanë filluar të mësojnë shqip: Gëzuar dhe faleminderit, përshëndetën Johani dhe Henriku.

Top Channel