Mafiozi i penduar: Një politikan shqiptar i lidhur me Ndrangheta-n

09/03/2015 00:00

Një herë i solla një BMW një politikani shqiptar për të kaluar “barin”, kjo përpara se të binte qeveria dhe përpara se të digjnin plantacionet.

Ky është vetëm një fragment nga rrëfimi i gjatë i ish-anëtarit të “Ndrangheta”-s, Luciano Nocera, i publikuar në mediat italiane në hollësi të patreguara më parë.

Të thuash “mik” nuk mjafton, duhet të jesh “miku ynë”. Vetëm ashtu ka vlerë. Nuk mjafton të thuash mirëmbrëma, duhet të shtrëngosh dorën me njerëzit. Pastaj në bar, grumbullimet me çunat janë të domosdoshme, sepse duhet të të shohin të gjithë.

Sesi është jeta e një anëtari të “Ndrangheta”-s, ajo e përditshmja nëpër rrugë, në tavolina kafenesh, në makinë drejt kilogramit të fundit të drogës që duhet trafikuar, këtë e tregon me shumë detaje Nocera, në burg që prej korrikut 2014.

Ish-trafikanti vendosi tetorin e po atij viti të bashkëpunonte me drejtësinë. Të tjerët, të ashtuquajturit “shokë”, e dinin vendimin që kishte marrë dhe ishin takuar për ta deklaruar me zë të lartë poshtërsinë e tij.

Megjithatë, të vërtetën e vet zgjodhi ta regjistrojë vetëm shkurtin e këtij viti. Mafiozi i penduar bën rrëfime të hollësishme mbi mënyrën e pranimit në organizatë dhe ritualet që ndiqen për të kaluar pastaj tek eliminimet.

Nuk ta merr mendja se kush mund të jetë ekzekutor, tregon ai. Ka plot anëtarë që bëjnë punë normale, njerëz të cilëve u pëlqen të jenë pjesë e “Ndrangheta”-s, sepse i pëlqen respekti dhe përkatësia në një grupim. Këtu – rrëfen trafikanti, – nuk e gjen kollaj njeriun që ka bërë krim, sepse nga e hëna deri të shtunën shkojnë në punë, pastaj të dielën bëjnë mafiozin. Në pamje të parë janë njerëz normalë. Takimet kryesisht janë nëpër lokale.

Në mesin e pohimeve të tij ka edhe plot batuta me material, mënyra sesi i referohen anëtarët e organizatës mafioze drogës, ndërsa kujton sa i frytshëm ishte trafikimi me Zvicrën, ku “materialin” ia paguanin me franga.

Top Channel