Njohja e Kosovës, Sllovakia: Qëndrimi ynë nuk është armiqësor

09/03/2015 00:00

Sllovakia është një nga pesë vendet e Bashkimit Europian e cila nuk e
njeh pavarësine e Kosovës dhe i pyetur nga Top Channel në konferencën e
përbashkët me shtyp pas takimit me Ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir
Bushati në Tiranë, Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak është
shprehur:

“Qëndrimi ynë kombëtar përsa i përket Kosovës nuk është armiqësor, përkundrazi është tërësisht e kundërta. Më duhet madje të them që bashkëpunimi ynë me Kosovën është shumë thelbësor, substancial, aktiv dhe madje shumë më i tillë se me shumë vende të tjera me të cilat Sllovakia ka marrëdhënie diplomatike. Perspektiva apo mënyra se si ne e shohim ne të ardhmen e Ballkanit Perëndimor është që ai do të jetë në Bashkimin Europian në të ardhmen dhe natyrisht duke përfshirë edhe Kosovën”, deklaroi Lajçak.

Gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar konferenca e përbashkët për shtyp, në ambientet e Ministrisë së Jashtme ka mbërritur Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Lajçak, Bushati dhe Thaçi kane zhvilluar një takim mes tyre për rreth 20 minuta pa praninë e mediave, ku tema kryesore e bisedimeve ka qenë njohja e Kosovës nga Sllovakia dhe thellimi i mëtejshem i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Top Channel