Përgjimet, rrëfimi i deputetit të VMRO-DPMNE: U bëra deputet në këmbim të ryshfetit dhe garancive

09/03/2015 00:00

Afera e përgjimeve dhe përmbajtja skandaloze e bisedave mes zyrtarëve të Qeverisë, që u publikuan nga lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, kanë revoltuar disa nga bashkëveprimtarët e dikurshëm të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ish-ambasadori i Maqedonisë në SHBA, Nikolla Dimitrov dhe disa bashkëpunëtorë të tij, që janë njohur si pjesë e partisë maqedonse në pushtet VMRO-DPMNE, kanë shprehur shqetësimin e tyre për politikat e Gruevskit dhe partisë që drejton ai.

Dimitrov ka reguar në rrjetin social FB, pas publikimit të bisedës së përgjuar të ministres së Brendshme, Gordana Jankulovska, ku ajo dëgjohet duke thënë se MPB-në e ka shndërruar edhe në shtab partiak.

Ish-bashkëpunëtori i Gruevskit vlerëson se institucionet shtetërore janë të uzurpuara nga Qeveria aktuale, ndërsa demokracia e vendit tërësisht e nënçmuar, ndaj dhe bën thirrje për rikthimin e partisë VMRO-DPMNE në duart e qytetarëve.

Ndërkohë, mediat në Shkup shkruajnë se drejtuesit e partisë më të madhe maqedonase, VMRO-DPMNE, besueshmërinë e deputetëve të këtij subjekti e kanë siguruar përmes kambialeve, që kanë firmosur të zgjedhurit e popullit para se të përfshihen në listat zgjedhore.

Një deputet i këtij subjekti citohet t’i ketë thënë “Deutsche Welle”-s se ka firmosur një kambial në vlerë prej 300 mijë euro, si kusht i vënë nga partia për ta kandiduar në zgjedhje.

Deputeti, emri i të cilit nuk bëhet publik, ka thënë se bashkë me kambialin ka firmosur edhe një kontratë, me të cilën është detyruar që ta kthejë këtë shumë, në rast të mosbindjes apo braktisjes së partisë.

Ai ka sqaruar se ata kandidatë, që nuk kanë firmosur garanci të këtilla, nuk janë caktuar për deputetë dhe janë larguar nga partia. Zyrtarët e VMRO-DPMNE-së nuk janë prononcuar lidhur me këto pretendime.

Top Channel