Bujqësia pa asgjë e “Shqipërisë tjetër”

09/03/2015 00:00

Rruga, jo më e gjatë se 6 kilometra nga qyteti i Peshkopisë, duket pafund. Shumë fshatra fshihen pas saj, mes tyre edhe Bellova.

“Janë fshatra të tërë, që jetojnë vetëm përmes bujqësisë, prej së cilës mbajnë të varur ekonomitë familjare. Por sikur të mos mjaftonin vështirësitë e pafundme, me të cilat janë përballur prej vitesh e vitesh në një sektor të lënë shpesh mënjanë e pa mbështetje, ata duhet të mbajnë edhe peshën e mungesës së tregut, që po u merr frymën duke i detyruar të hedhin tej prodhimin e tyre”.

Të gjithë fshatrat e kësaj zone njihen për kultivimin e patates. Bellova, Zagradi, Cerjani , Rabdishti, e kështu me radhë, dikur prodhonin mëse 35 mijë kuintal në vit, shifër që sot është tkurrur me disa herë. Në Bellovë, para viteve ’90 jetonin mëse 165 familje; sot ato janë diku 48. Shtëpitë e braktisura e ruajnë ende madhështinë e dikurshme, e megjithatë një pjesë e tyre janë gjunjëzuar ballë largimit të njerëzve.

Të mbeturit përpiqen të mbijetojnë, por a mundet të mbijetosh kur mundësitë të mbyllen? Kavaletat me prodhimin vjetor dergjen, e bashkë me to dergjen edhe shpresat e banorëve.

“As 20 lekë nuk shitet patatja. Bëjmë sikur dalim në treg, por nuk na shitet malli. Çfarë të ardhme mund të shpresojmë? Hiç, vetëm Zoti ta bëjë më mirë me ato të ardhura që do kemi. S’kemi asnjë shpresë tjetër, do mbledhim misër më shumë, patate më pak”, thotë Met Shahi.

Çdo shtëpi ka pjesën e saj. Kuintalë të tërë, që qëndrojnë prej muajsh pa u shitur.

“Duke bërë një llogari pa laps, ne dalim zero-zero. Vetëm sa punësohemi, sepse këto ka rrezik që t’i hedh”, thotë Ruzhdi Dumani.

Për ta është e pamundur të tregojnë pse ndodh kjo, por mund të të rreshtojnë shpenzimet e shumta, që duhet të bëjnë për këtë prodhim. Dapi, nitrati, ureja, helmet, plehu organik e gjithçka tjetër përballohet nga vetë banorët. Subvencionimet, siç thonë, mungojnë. Pa llogaritur kostot që u shtohen nga mungesa e infrastrukturës dhe mjeteve mekanike, kur tokën duhet ta punojnë veç me krahë e me kafshë.

Por vështirë të thuhet sesi ata mundet të çajnë një treg kur janë të pa orientuar, në një sistem që shikon shumë herë më të favorizuar prodhimet që vijnë nga përtej kufirit. Informaliteti nuk u jep mundësinë të përfitojnë subvencionime, tokat i kanë të copëzuara për të rivalizuar siç duhet, e në fund u mungojnë edhe pikat e grumbullimit, ku mund të ruajnë në mënyrë cilësore prodhimin e tyre.

Ky është realiteti, që i mban ngërthyer fermerët kudo.

“Farën e blejmë shumë shtrenjtë, sepse shkon 220-230 për kuintal. Dapi është 10 mijë lekë/kuintali, nitrati diku te 6 mijë lekë/kuintali. Thjesht për vete s’ngelet kurrgjë. Edhe patatja ka ngelur pa shitur komplet, si t’ia bëjmë”, thotë Fahim Shahu.

“Ndonjë mbështetje apo subvencionim nga shteti nuk ka, kështu që jemi zero-zero. Madje mund të them me humbje, ndaj dhe njerëzit shkojnë gradualisht drejt ftohjes. Të mos mbjellin patate. Do mbjellin shumë pak: 1 dynym, 500 metra, 200 metra, sa për vete, sepse nuk ka treg”, thotë Abedin Saraçi, kryeplak i Bellovës.

Një pjesë e banorëve të zonës, prodhimin e kanë zbritur edhe në Peshkopi. Dikush në një magazinë të marrë me qira, dikush tjetër në depo shtëpie. Në të gjitha rastet, kushtet e mirëfillta frigoriferike mungojnë, çka bën që jetëgjatësia e prodhimit të tyre të shkurtohet ndjeshëm.

Telati nga Cerjani, një tjetër zonë që merret me këtë kulturë bujqësore e ku prodhimi po kalbet, tregon stokun e tij të jashtëzakonshëm.

“Unë kam prodhuar 200 kuintalë patate. Sot e kësaj dite nuk është shitur asnjë kokërr patate. Kjo është për t’u hedhur menjëherë. Sa të kalojë ky muaj, patatja fillon e vyshket, sepse i mbaron afati. Konkretisht kam shpenzuar 250 mijë lekë me këto, ndërsa deri më tani nuk kam marrë as 20 mijë lekë”, thotë Telat Xhelili, nga Cerjani.

E kështu të gjithë. Presin pa ditur se çfarë, deri në momentin kur do t’u duhet që prodhimin ta derdhin lumit.

“Patatja është e cilësisë fantastike, nuk ka koment për të. Ka mbirë madje prej të ngrohtit. Është patate e verdhë, siç e duan krejt njerëzit, dhe është marrë 26 mijë lekë/kuintali. Asnjë fitim, nuk kemi asnjë ndihmë, as nga Ministria e as nga dikush tjetër. Nuk u intereson fare se çfarë është bërë, apo si është bërë”, thotë Liman Sefa, nga Zagradi.

“Kjo patate për mendimin tim nuk do shitet këtë vit. Kështu na ndodhi edhe në 2002-shin, kur kam hedhur 100 kuintal në përrua”, thotë Munir Mera.

Ky është një realitet, që mund ta hasësh sot në shumë zona, e që kërkon një strategji, një orientim, një organizim të drejtpërdrejtë efikas e prodhues.

Një pjesë, në këto 24 vjet, tokat i kanë braktisur pikërisht prej zhgënjimit, duke iu shtuar shifrave të gjata të të papunëve. Kur në fakt bujqësia duhet të ishte një ndër sektorët më të lëvizshëm në vend.

Diku s’ka ujë, diku mungon infrastruktura, tregu, çmimet, subvencionimet, qartësia e informaliteti, që po u merr frymën. Por mbi të gjitha mungojnë projektet serioze, që do t’i drejtonin fermerët drejt bashkëpunimeve më të mëdha, njohjes së tregut dhe zbritjes në kohën dhe mënyrën e duhur.

Vetëm në këtë mënyrë mund t’i japim mundësinë fermerëve tanë të rivalizojnë me të tjerët, sepse sigurisht është absurde që molla, qepa, patatja, limonët e portokajtë të vijnë nga Maqedonia, Serbia, Italia e Greqia, të prodhuara nuk dihet se kur, e të mbajtura bukur, mirë, gjallë, me kimikate.

Edhe vetë industria e turizmit mund të tërhiqte më shumë vizitorë, nëse do të mbështeste prodhimet bio, që në Shqipëri ende nuk mungojnë.

Top Channel