Trajnimi i gjyqtarëve, Howard Webb tregon sfidat, majat e karrierës…

09/03/2015 00:00

Prej ditësh në Tiranë po zhvillohet seminari i përbashkët i FIFA-s dhe UEFA-s për trajnimin e gjyqtarëve, të cilët sapo kanë mbyllur karrierën e tyre profesionale dhe në këtë fazë kalojnë në një tjetër nivel, atë të profesorëve për gjyqtarët e Federatave të vendeve të tyre.

Mes emrave të njohur në këtë seminar, bie në sy një nga gjyqtarët më të njohur të viteve të fundit në arenën e futbollit botëror, Howard Webb.

Fërshëllima e fundit e Howard Webb ishte ajo e një viti më parë, kur mbylli karrierën e tij 25 vjeçare si gjyqtar futbolli.

Me rreth 500 ndeshje të niveleve të larta në Premier League dhe shumë të tjerave në Champions Lerague, UEFA League, Europiane e Botërore, 43-vjeçari Howard Webb është konsideruar prej disa vitesh radhazi si gjyqtari më i mirë në botë dhe padyshim më i miri britanik i periudhës së tij.

E filloi gjykimin që nga viti 1989 në ligat rajonale dhe në vitin 1998 kaloi në Premier League, ndërkohë që nga viti 2005, mban statusin e gjyqtarit të FIFA-s. E filloi karrierën nën mbështetjen e babait të tij, i cili prej 35 vitesh ka qenë gjithashtu gjyqtarë, duke ndërprerë një karrierë futbollistike, për të ndjekur një instikt që rezultoi të ishte i duhuri.

Karriera e tij prej një oficeri policie u shkëput vitet e fundit, që nga koha kur në Britaninë e Madh, gjyqtar futbolli, ishte tashmë një status pune profesionisti dhe si i tillë nuk mund të konsiderohej një punë me kohë të pjesshme. Mes pasionit për të dyja, Webb zgjedh sërish të drejtojë dhe menaxhoi, ashtu siç thotë vetë, njerëzit në fushën e blerët.

Karriera e tij në rritje kulmon vit pas viti që nga koha kur mori stemën e FIFA-s, Howard Webb ka qenë gjyqtari që ka drejtuar ndeshjet më të rëndësishme në aktivitetet më të mëdha futbollitike në Europë dhe në botë.

Ishte viti 2010-të kur merr statusin si gjyqtari i parë në histori që gjykon brenda një viti dy finalet më të mëdha të futbollit, atë të Champions League, Inter-Bayern Munich dhe finalen e  Botërorit në Afrikën e Jugut Holandë-Spanjë. Por kjo padyshim nuk e bën atë arbitrin më të pagabueshëm dhe jo më kot kur e pyesin për 5 gabimet më të mëdha të karrierës, ai thotë që nuk janë 5 por 55-së, sepse edhe gjyqtarët janë një qenie njerëzore e si të tillë kanë gabimet e tyre.

***

TCH: Si fillim doja t’iu pyesja si e morët vendimin për t’u  bërë arbitër?

Howard Webb: Gjithmonë kam patur pasion për futbollin. Në fillim për të luajtur vetë, si adoleshent kisha ambicien për t’u bërë një profesionist. Por shumë shpejt e kuptova që nuk isha i aftë sa për t’u bërë aq i mirë. Babai im ka qenë arbitër dhe kështu unë u rrita duke parë tim atë duke arbitruar, këtu fillova të kuptoja punën e arbitrimit. Dhe ishte babai im që më tha ndoshta nuk je një futbollist i zoti, kështu që mund të shohësh me përparësi nga arbitrimi. Në fillim nuk më  pëlqeu, arbitrat janë të vjetër dhe pa flokë. Kështu u bëra dhe unë më vonë, por në moshën 18-vjeçare e vendosa, ndoqa këshillën e tij dhe u bëra një arbitër, në fillim me ndeshjet e fëmijëve. Ato më pëlqenin shumë dhe këtu i thashë vetes kjo mund të jetë një mundësi për të qenë pjesë e futbollit dhe për të arritur një nivel të lartë në një mënyrë ndryshe nga të qenurit futbollist. Ishte një vendim i drejtë, arbitrimi është një e kaluar e shkëlqyer për mua për shumë vite.   

TCH: Vendimet  e gjyqtarëve shpesh ndezin diskutime, të cilat ne i shohim në moviolë. Ju çfarë mendoni për moviolën?

Howard Webb: Është pjesë e ndeshjes dhe ajo është pjesë e analizës. Sa më shumë flitet për futbollin aq më mirë është. Më shumë tifozë do të vijnë në stadium, më shumë të ardhura, më shumë reklama. Ne e dimë që të gjitha vendimet tona do të analizohen më pas. Ne duhet të jemi sa më të qetë dhe të shohim përpara. Ka shumë ndeshje apo situata për të cilat gjyqtarët veprojnë drejtë, por për to flitet shumë pak. Kur vendimi nuk është korrekt atëherë njerëzit fokusohen aty. Kjo është pjesë e jetës se arbitrit, por ata duhet të bëjnë gjithmonë më të mirën edhe pse e dine se gabimet e tyre do të tërheqin vëmendjen e të gjithëve.

TCH: A mbani mend ndonjë gabim gjatë karrierës?

Howard Webb: Po, padyshim që po, kam bërë shumë gabime. Kur isha duke lënë futbollin u pyeta nga disa gazetarë në Angli. Ata donin një listë me 5 ndeshjet që unë doja t’i harroja, por në fakt mund të jenë 55 ndeshjet që unë dua t’i harroj. Unë gjithmonë kam dashur t’i rishoh ndeshjet e mia për të parë ku mund të përmirësohem. Shumë herë njerëzit nuk e kuptojnë që unë mund të mos kem qenë në një pozicion të mirë për të marrë një vendimin më të drejtë dhe shpesh bëhen gabime të mëdha. Mua më ndodhi diçka në Kupën e Botës në Johanesburg, në një ndërhyrje të rëndë të De Jong, por unë nuk kisha pamjen e duhur dhe nuk kisha informacionin e duhur për të nxjerr një karton të kuq. Ti i rishikon këto situata dhe kërkon të përmirësohesh për momente të tjera.

TCH: A ke qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë ndeshje që është dyshuar si e fiksuar?

Howard Webb:
Asnjëherë. Kam arbitruar për 25 vjet dhe asnjëherë, unë personalisht, nuk jam rrezikuar nga ndonjë ndeshje e fiksuar. Askush nuk më ka kërkuar të bëj diçka përpara ndeshjeve. Ky është një problem i madh kur ndodh dhe është një kërcënim i madh sepse ndeshja duhet të jetë e ndershme sepse e shohin të gjithë, ata paguajnë për ta parë këtë. Kështu që njerëzit duhet ta dinë që ndeshja është e pastër që të funksionojë kjo industri. Këto gjëra ndodhin, por unë mendoj që janë raste të pakta. Ka njerëz që kërkojnë të manipulojnë rezultatin dhe arbitrat janë pikë kyçe në këto situata sepse kanë mundësinë për të influencuar në një ndeshje. Puna jonë në FIFA dhe UEFA është të largojmë aktorët nga këto situata të rrezikshme. Të gjithë të dinë si të veprojnë kur kanë kërcënime dhe gjithmonë do të jetë kjo beteja e jonë kundër ndeshjeve të fiksuara.  

TCH: Cila është situata më e mirë për një arbitër, të jetë i padukshëm apo protagonist në një ndeshje?

Howard Webb: Varet, shumë thonë se arbitri më i mirë është ai që njerëzit nuk e vënë re fare dhe unë mendoj se është korrekte. Është mirë që askush të mos flasë për arbitrin, madje mos ta di fare kush është. Pas ndeshjes tifozët të shkojnë në shtëpi, lojtarët në dhomat e tyre dhe askush të mos kujtojë arbitrin. Por mos harrojmë, shpesh ndeshjet kanë nevojë për një personalitet të fortë në fushë që të ketë kontrollin dhe të rrisë profilin e tij dhe është mirë që kur merren vendime të mëdha njerëzit ta dinë kush është arbitri. Kjo është një çështje që duhet ta kuptojë arbitri. Kur duhet të jetë me një profil të ulët dhe kur protagonist. Pra shumë varet nga ndeshja.

TCH: Keni ndonjë këshillim për arbitrat shqiptarë?

Howard Webb: Në të shumtën e rasteve gjyqtarët duhet të dinë rregullat e lojës, të zhvillohen dhe mbi të gjitha të jenë në pozicionin e duhur, kështu që duhet të jenë në formë. Duhet të jenë fizikisht të përgatitur, por edhe mendërisht. Duhet të dinë paraprakisht çfarë ndeshje do drejtojnë, cilat mund të jenë problemet. Ata duhet të kontrollojnë emocionet, të rrinë të qetë. Të kenë personalitet që futbollistët të besojnë tek ai. Edhe kur ka vendime të dyshimta ata duhet të jenë në gjendje për ta shitur me lëvizjet e tyre si një vendim të drejtë. Mbi të gjitha, duhet të jenë qenie njerëzore dhe jo një robot. Duhet të kenë një balancë mes të qenurit të ashpër dhe të bute.

TCH: Mund të na tregoni pak rreth eksperiencave tuaja në finale Champions League apo Kupën e Botes?  

Howard Webb: Viti 2010 ka qenë një vit special për mua. Unë vij nga Anglia dhe nëse ekipet e vendit tim shkojnë në finale ne skualifikohemi. Ekipet angleze arritën disa finale radhazi, në vitet 2000 me Manchester Junajted, Liverpool dhe Arsenal. Në 2010 asnjëra nuk shkoi më shumë se çerekfinalja, kjo më dha mundësinë mua të përfshihesha. Nuk isha në gjysmëfinale, por mora telefonatën për finalen, Inter kundër Bayern u luajt në “Bernabeu”. Stadium fantastik, dy skuadra të mira dhe një rast perfekt dhe ishte nga ato ndeshje ku gjyqtari nuk u pa fare. Interi e fitoi ndeshje 2-0, asnjë situatë për të më vështirësuar jetën mua. Kjo ishte vetëm 10 ditë para se të grumbulloheshim për në Botëror. Aty kombëtarja angleze nuk eci mirë dhe për mua ishte një mundësi e mirë për të vazhduar. Me besimin se kisha bërë një finale Champions League të mirë mu besua finalja e Botërorit, Spanjë-Holandë dhe pastaj doli emri im, ishte një kënaqësi e madhe. Por ishte një ndeshje e vështirë, më fizike, me shumë situata ku unë duhet të merrja një vendim delikat. Është një gjë e madhe të drejtosh një finale të tillë sepse të shikon gjithë bota. Vjet në Brazil, ku Rizzoli u vendos arbitri finales i dhashë një përqafim sepse e dija çfarë emocionesh po kalonte. Edhe ai u paraqit mirë në ndeshjen e fundit.

TCH: Në jetën tënde është më mirë të ishe polic apo arbitër?

Howard Webb: Kam pasur pasion për të dyja. Në shumë situata sjellja duket si e njëjtë. Dhe shumë aftësi i kam përdorur te të dyja rolet, si për shembull për të menaxhuar njerëzit. Kjo s’ka lidhje me kartonët dhe shkopin e gomës. Sidomos situata kur duhet të qetësosh njerëzit, t’i bindësh që ata të bashkëpunojnë me ty. Jo më kot arbitra bëhen njerëz të tillë, mësuesit policët, ata që menaxhojnë në jetë.

TCH: Kush është lojtari më i mirë që keni arbitruar?

Howard Webb: Sa për lojtarë kam arbitruar më të mirët e botës, më të mirët që mund të imagjinosh. Por performanca më e mirë individuale që kam parë te kombëtaret në një ndeshje, Suedi-Portugali në Stokholm, ndeshja e kthimit. Kush fitonte kualifikohej për në Botëror. Për Suedinë ishte Ibraimoviç, për Portugalinë Ronaldo. Them se kam parë perfarmancën më të mirë të Cristiano Ronaldo-s, në dy ndeshje shënoi 4 gola. Paraqitja e Ronaldo-s ishte  fantastike, mënyra se si ai motivonte skuadrën për të vazhduar më tej. Ai e  mori ndeshjen në dorë dhe çoi skuadrën në Boteror. Ishte një kënaqësi të ishe aty ta shikoje. 

Top Channel