Putin e pranon: E aneksuam Krimenë

10/03/2015 00:00

Për herë të parë Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar publikisht planin e tij për të aneksuar Krimenë.

Strategjia e Putin ishte shpalosur në një takim një ditë pas rrëzimit me protesta të dhunshme të Presidentit ukrainas Viktor Janukovic.

Sipas shefit të Kremlinit, ai ishte momenti i duhur për të ndërhyrë pasi, vendi ndodhej në mesin e trazirave. Por mesa duket aneksimi i Krimesë ishte një dëshirë e përbashkët jo vetëm e shefit të Kremlinit apo liderëve të Shërbimeve Sekrete ruse. Afërsisht 80 përqind e banorëve të Krimesë, në një sondazh të zhvilluar në mënyrë të fshehte, kishin votuar ‘pro’ bashkimit me Rusinë.
 
Por kjo deklarate e Vladimir Putin rrezikon një raund të ri sanksionesh ndëshkuese për Rusinë , u shpreh sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond.

Situata në Ukrainën lindore vijon të jetë përballë kërcënimit të luftimeve,ndonëse me intensitet më të ulët. Sipas Hammond, është ende herët për të folur nëse do të zhvillohet një luftë e ftohtë, siç përflitet, por ai u shpreh se Rusia ka vendosur të jetë një konkurrente strategjike me Europën, pasi qeveria e Moskës nuk i sheh kolegët e perëndimit si bashkëpunëtorë, por si rivalë.

Pavarësisht ujdisë së firmosur në Minsk , luftimet e orëve të fundit i kanë marrë jetën e 3 personave dhe kanë lënë të plagosur disa të tjerë.

Top Channel