Holandë, ministri i Drejtësisë dorëhiqet për “paratë e drogës”

10/03/2015 00:00

Ministri holandez i Drejtësisë, Ivo Opstelten dhe sekretari i shtetit Fred Teeven kanë dhënë dorëheqjen pasi kanë keqinformuar parlamentin mbi një kompensim të kryer në vitin 2001 ndaj një trafikanti droge.

Opstelten kishte deklaruar se trafikanti ishte paguar më pak se paratë që atij i ishin konfiskuar gabimisht nga shteti. Ai tha gjithashtu se detajet e pagesës, e autorizuar nga Teeven si prokuror, kishin humbur. Por në të vërtetë nuk ishte kështu.

Dorëheqjet e Opstelten dhe Teeven përbëjnë një goditje për Partinë Liberale në prag të zgjedhjeve. Të dy zyrtarët e dorëhequr vijnë nga krahu konservativ i partisë, që përballen me sfidën e hapur nga Geert Wilders, nga Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë, në zgjedhjet lokale që mbahen këtë muaj.

Dorëheqjet pritet të rëndojnë edhe në koalicionin mes Liberalëve dhe Laburistëve, që kanë qenë shumë kritikë ndaj Opstelten dhe Teeven.

Ministri holandez i Financave, Jeroen Dijsselbloem, njëkohësisht shef i Eurogrupit, shprehu keqardhjen e tij për këtë episod.

“Është vërtet për të ardhur keq. Ndiej se humba dy kolegë shumë të vyer”, tha Dijsselbloem.

Ministri i Drejtësisë kishte deklaruar se një trafikant i dënuar droge, Cees Helman, ishte paguar shumë më pak se kompensimi prej 2.1 milionë eurosh, shumë të cilën në fakt ai e kishte marrë të tërën.

Ministri tha gjithashtu se detajet e pagesës kishin humbur. Sidoqoftë, ditën e hënë, zoti Opstelten deklaroi se një dokument i transaksionit ishte gjetur.

“Ky informacion mund të ishte gjetur më herët. Marr përsipër çdo përgjegjësi për këtë dhe sapo i kam ofruar dorëheqjen mbretit”, deklaroi ai për mediat.

Pagesa ishte bërë pasi autoritetet nuk kishin qenë në gjendje të provonin se parate e konfiskuara të trafikantit ishin siguruar në mënyrë ilegale. Zoti Teeven, që në atë kohë ishte prokuror, kishte autorizuar sheshimin e çështjes.

Top Channel