Dritan Prifti: Plani kundër Doshit, real. Frroku mund të ketë arsye të tjera që e mohon

10/03/2015 00:00

Pasi emri i tij doli në skenë javën e kaluar nga kryeparlamentari Ilir Meta, ish-deputeti i LSI-së, Dritan Prifti iu bashkua listës së politikanëve që janë pyetur deri tani për çështjen “Doshi”.

Prifti rrëfeu para grupit të hetimit, duke këmbëngulur, se ndaj deputetit Tom Doshi ishte përgatitur një komplot për ta vrarë.

Ndërkohë që pas dy orëve përpara prokurorëve, Prifti akuzoi publikisht se Meta po e përdor emrin e tij për të larguar vëmendjen nga historia Doshi, si dhe paralajmëroi që, pas dy viteve larg politikës ai do t’i rikthehet asaj.

“Ilir Meta është përpjekur shumë kohët e fundit të më përfshijë mua me bizneset private, që synojnë të largojnë vëmendjen nga akuzat se ky person ka organizuar dy vrasje. Nëse Meta kërkon të më implikojë mua, që kam mbi dy vjet që jam tërhequr nga jeta politike, atëherë po vjen koha të rikthehem, sepse në këtë vend po ndodhin gjëra të çuditshme”, deklaroi Prifti.

Ndryshe nga qëndrimi i deputetit Mark Frroku, i cili në ballafaqimin me Tom Doshin mohoi të kishte dijeni, Prifti tha se nuk ka frikë të thotë të vërtetën.

“Ka patur një komplot ndaj Tom Doshit për ta vrarë, por jam i bindur se ky grup serioz prokurorësh do ta zbardhin këtë çështje. Unë erdha këtu dhe kam deklaruar të vërtetën për gjërat që kam pasur dijeni dhe që i di. Nuk më tremb asnjë lloj presioni apo kërcënimi që mund të bëjnë Meta dhe njerëzit e tij”, theksoi Prifti.

Ndërkohë, prokurorët po mendojnë të thërrasin edhe deputetin demokrat Edi Paloka, emri i të cilit është përmendur nga ish-kryeministri Sali Berisha si personi që i kishte treguar informacionin për tentativat për të vrarë Tom Doshin.

Në prokurori gjatë ditës ishin edhe shoferi i Mark Frrokut, i cili ka mbajtur qëndrimin mohues të shefit të tij, ndërsa nipat e deputetit Doshi kanë qenë në të njëjtën linje si edhe deputeti denoncues, i cili insiston se ndaj tij ishte përgatitur një plan për ta vrarë, jo vetëm atë, por edhe deputetin demokrat Mhill Fufi.

Top Channel