Kore e Jugut, ambasadori amerikan lë spitalin

10/03/2015 00:00

Mark Lippert, ambasadori amerikan në Korenë e Jugut që u sulmua me thikë javën e kaluar, ka dalë nga spitali ku ishte shtruar në Seul.

Zoti Lippert pësoi një prerje në fytyrë dhe në dorë pasi u sulmua me thikë nga një nacionalist korean. Të martën ai u tha gazetarëve se qëndrimi “i hapur dhe miqësor” i Shteteve të Bashkuara kundrejt Koresë së Jugut nuk do të ndryshojë.

Agresori i tij, Kim Ki jong, i cili u arrestua në vendin e ngjarjes, thuhet se ka mohuar akuzat për tentativë vrasjeje.

Ndërkohë, mjekët deklaruan se ambasadorit i ishin hequr 80 qepje nga fytyra dhe se dhimbja në kyçin e dorës tashmë kishte kaluar. Ata saktësuan se plagët do të kishin vënë në rrezik jetën e tij nëse do të kishin qenë më të thella.

Zoti Lippert, 42 vjeç, tha se pret që të rekuperohet tërësisht dhe që të kthehet në detyrë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ndihem goxha mirë, duke pasur parasysh sa ndodhi. Ishte një incident i frikshëm, por unë mund të eci, të flas, të mbaj në krahë fëmijën tim dhe të përqafoj bashkëshorten time. Kështu që ndihem shumë mirë”, deklaroi Lippert.

Sulmi ndaj diplomatit u pasua nga tubime solidariteti dhe sesione lutjesh nga banorët e Koresë së Jugut. Presidentja e këtij vendi, Park Geun hye e vizitoi atë në spital ditën e hënë.

Ndërkohë, policia nuk e ka përcaktuar ende motivin e saktë të agresorit, por tha se menjëherë pas sulmit ai bërtiste kundër stërvitjeve ushtarake SHBA-Kore, si dhe bënte thirrje për bashkimin e dy Koreve.

Top Channel