Opozita kërkon në komisione dorëheqjen e Metës

10/03/2015 00:00

Opozita zhvendos axhendën e saj parlamentare në funksion të kërkesës për largimin e Ilir Metës. Qëndrimi i këtyre dy ditëve i Komisionit të Ligjeve, ku deputeti Tom Doshi është anëtar, është shtrirë në të gjjitha komisionet e tjera kuvendore.

Përjashtim ka bërë vetëm Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, ku nënkryetar është demokrati Genc Ruli dhe anëtare Monika Kryemadhi, prezente në këtë mbledhje, ku nuk është artikuluar një kërkesë e tillë. 

Komisionet e tjera kanë nisur me deklarimet e deputetëve demokratë për largimin e Ilir Metës nga posti i kreut të Kuvendit, për t’i hapur rrugë sipas tyre hetimeve pas akuzave të deputetit Doshi se kreu i Kuvendit ka porositur vrasjen e tij dhe demokratit Fufi.

Paralelisht me komisionet, protestën e të rinjve të FRPD-së jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, ambasadori amerikan ka zhvilluar takim në Kryeministri. Kamerat kanë fiksuar momentin kur ai është larguar nga selia e qeverisë.

Takimi tërhoqi vëmendjen e medias për shkak se zhvillohet dy ditë përpara protestës së opozitës dhe pas anullimit për herë të dytë të takimit të grupit të miqësisë Shqipëri-SHBA, në përbërje të të cilit janë edhe deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, të vendosur në qendër të vëmendjes pas deklarimeve të të mandatuarit të Shkodrës. Por, burime të qeverisë thanë për Top Channel se diplomati amerikan është takuar në selinë e qeverisë me ministren e Shtetit, Milena Harito.

Top Channel