Obama vë në lojë letrën e republikanëve për Iranin

10/03/2015 00:00

Barak Obama e vuri në lojë letrën e senatorëve republikanë për Iranin dhe i akuzoi njëkohësisht nismëtarët për ndërhyrje në bisedimet bërthamore me Republikën Islamike.

Për shefin e Shtëpisë së Bardhë, 47 senatorët kanë bërë një koalicion të pazakontë me liderët fetarë iranianë të vijës së ashpër. Letra i kujton Teheranit se pa aprovimin e Kongresit, çdo ujdi nuk do të jetë më shumë sesa një marrëveshje ekzekutive.

Udhëheqësit e Iranit ndoshta nuk e kuptojnë siç duhet sistemin tonë kushtetues. Çdo marrëveshje që nuk e ka mbështetjen e Kongresit do të ekzistojë si e tillë vetëm ndërmjet presidentit Obama dhe liderit suprem iranian, Ajatollahut Kamenei. Presidenti i ardhshëm do ta zhbënte një pakt të tillë me majën e lapsit dhe kongresmenët e ardhshëm do t’i ndryshonin kushtet e marrëveshjes kur të donin.

Firmëtarët shtojnë gjithashtu se shumica prej tyre “do të qëndrojë në postet aktuale edhe përtej janarit 2017, kur përfundon mandati i dytë presidencial i Obamës”. Presidenti nuk la pa e shpotitur iniciativën e senatorëve. “Është disi ironike që disa anëtarë të Kongresit duan të gjejnë një kauzë të përbashkët me ndjekësit e linjës së ashpër në Iran”, tha ai. “Është koalicion goxha i pazakontë.”

Negociatat mbi programin bërthamor të Iranit janë në një pikë kritike me marrëveshjen e përkohshme që skadon në 31 mars. Javën që shkoi, kryeministri izraelit Benjamin Netaniahu tha përpara Kongresit amerikan se pakti aktual do t’i hapë Teheranit rrugën drejt prodhimit të një bombe atomike. Republikanët dhe një grup demokratësh kanë kërkuar me kohë që për këtë çështje të ketë një votim në Dhomën e Përfaqësuesve e në Senat, por Shtëpia e Bardhë këmbëngul se një marrëveshjeje të tillë nuk i nevojitet miratimi i ligjvënësve.

Top Channel