Champions, Reali në pritje të biletës për në çerekfinale

10/03/2015 00:00

Reali i Madridit pret zyrtarizimin për në çerekfinalen e Champions League sot në mbrëmje, kur do të zhvillojë ndeshjen e kthimit ndaj gjermanëve të Schalke 04. Fitorja në ndeshjen e parë 0-2 në Gelsenkirshen ishte e njëmbëdhjeta për madrilenët në këtë sezon të cilin e luajnë si kampionët në fuqi.

Skuadra e Karlo Ançelotit do të përpiqet sot të regjistrojë fitoren e 12 që do të jetë një rekord për këtë veprimtari, pavarësisht humbjes në kampionat në fundjavën e shkuar nga Bilbao që solli rrjedhimisht edhe humbjen e kryesimit të klasifikimit të kampionatit spanjoll.

“Skuadra është kompakte dhe e fokusuar tek objektivat”, ka thënë Ançeloti përpara kësaj ndeshjeje që për gjermanët vetëm mrekullia mund t’i japë mundësi të përmbysin humbjen e ndeshjes së parë.

Schalke 04 këtë fundjavë arriti të fitojë 3-1 ndaj Hofenhaimit dhe kjo ishte fitorja e parë në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha veprimtaritë. Në ndeshjen e mbrëmjes së sotme do të ketë disa lëvizje sa i përket formacioneve dhe lojtarëve. Për Realin e Madridit rikthehet mesfushori Luka Modriç, i cili mungonte që nga muaji nëntor, ndërkohë që nuk do të jetë në dispozicion Serhio Ramos dhe Hames Rodriges, ndërsa Schalkes i mungon Kevin Prins Boateng, i cili mori karton në ndeshjen e parë dhe nuk do të jetë në dispozicion të Roberto Di Mateos.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme duket më e hapur sa i përket kualifikimit. Në Zvicër, Bazeli barazoi 1-1 me Porton dhe gjërat sigurisht do t’i kenë më të vështira për këtë ndeshje të kthimit. Porto në këtë ndeshje vjen në një formë shumë të mirë pasi ka fituar 7 nga 8 ndeshjet e fundit në të gjitha veprimtaritë, megjithatë edhe skuadra e Paulo Sosës po kalon një moment të mirë dhe do të luajë shanset e saj për kualifikimin e mëtejshëm në Champions League.

Ndeshjet e mbrëmjes së sotme do të keni mundësinë t’i ndiqni si gjithmonë drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb, duke filluar nga ora 20:00.

Top Channel