Kosovë, nuk do të ketë rrugë me emrin “Sllobodan Millosheviç”

10/03/2015 00:00

Komuna e Ranillugut në lindje të Kosovës që udhëhiqet nga Lista Serbe nuk do të mund ta zbatojë vendimin e saj që një rrugë lokale të mbajë emrin e diktatorit serb Sllobodan Millosheviç.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa ndëshkuese për këtë komunë në rast se e vendos tabelën e kësaj rruge, e cila që kur është miratuar nga Kuvendi Komunal është paralajmëruar nga qeveria që nuk mund të zbatohet.  
Ministria e Pushtetit Lokal dhe ajo e Mjedisit, përmes një komunikate për media, kanë njoftuar se Komuna e Ranillugut, e cila në shtator 2014 ka vendosur për emërtim të rrugëve, është njoftuar në kohë për problemet ligjore të asaj rruge.
 
Ministritë përkatëse kanë bërë të ditur se kanë marrë shkresa zyrtare nga Komuna e Ranillugut e cila është zotuar se në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal do të rishqyrtojë dhe përjashtojë disa emra të rrugëve, për të cilat nuk është pajtuar qeveria.
 
Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ajo e Mjedisit kanë sqaruar se vendimi i Komunës së Ranillugut për emërimin e rrugëve nuk është në fuqi, por në procedurë të rishqyrtimit, andaj edhe askush nuk mund të vendosë tabelë të ndonjë rruge në këtë komunë me shumicë serbe.
 
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ranillugut, Sasha Aleksiç, ka thënë të hënën se emërtimin e rrugës Sllobodan Millosheviç e ka pranuar nga përfaqësuesit lokalë dhe sipas tij ai emërtim ekziston prej kohësh, por duket se vetëm tani është proceduar.
 
Por, deklarimet e zyrtarëve të Ranillugut janë hedhur poshtë nga zyrtarët e komunës së Kamenicës, pjesë e së cilës ka qenë Ranillugu deri në vitin 2008, kur është ndarë me procesin e decentralizimit.
 
Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi ka thënë se emërtimi i rrugës Sllobodan Millosheviq në Ranillug mund të jetë marrë nga strukturat paralele serbe, por jo nga Komuna e Kamenicës.
 
Sipas Matoshit hera e fundit që Kuvendi Komunal i Kamenicës ka miratuar emërtimet e rrugëve ka qenë viti 2004.
 
Në shenjë revolte me vendimet e komunës së Ranillugut, Komuna e Kamenicës si fqinje e parë ka ngrirë të gjitha marrëdhëniet derisa krerët e komunës sme shumicë serbe të distancohen nga vendimi i tyre.
 

Top Channel