Tregu energjetik Kosovë-Shqipëri, krijohet komiteti i përbashkët. Dy vendet, një zonë e vetme tregtare

10/03/2015 00:00

Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e energjisë elektrike ka filluar të konkretizohet. Kosova dhe Shqipëria kanë jetësuar marrëveshjen për themelimin e tregut të përbashkët të energjisë, ku dy vendet do të jenë një zonë e vetme tregtare.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, kanë formalizuar në Prishtinë edhe themelimin e Komitetit Drejtues për tregun e përbashkët energjetik, për çka kanë formuar edhe grupet punuese.

“Puna e përbashkët e këtij komiteti, e cila do të materializohet me politika të përbashkëta, mund të çojë edhe në investime të përbashkëta, siç diskutuam sot për mundësitë e investimeve të përbashkëta Shqipëri-Kosovë në objekte gjeneruese, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, nëpërmjet mundësive komplementare që ka Kosova, nëpërmjet linjitit, e Shqipëria, nëpërmjet hidrës”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.

“Të gjithë në Kosovë dhe në Shqipëri janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, për rëndësinë e themelimit të një tregu të përbashkët, pra për sektorin e energjisë, një sektor që ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe është parakusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë”, tha Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Ministri shqiptar i Energjisë ka takuar në Prishtinë edhe kryeministrin Isa Mustafa, me të cilin po ashtu diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe për shfrytëzimin e përbashkët të linjitit që ka Kosova. Për këtë pati pajtueshmëri që të bëhen edhe studime fizibiliteti.

Pas takimit me Mustafën, Gjiknuri dhe Stavileci vizituan edhe punimet në ndërtimin e interkonjeksionit 400 kilovoltësh, që lidh Kosovën me Shqipërinë. Ministri Stavileci tha me këtë rast se Kosova tashmë ka përfunduar një të tretën e punimeve dhe deri në fund të vitit e përfundon komplet projektin.

Ndërsa ministri Gjiknuri tha se Shqipëria e mbaron pjesën e saj të punës në pranverën e vitit të ardhshëm dhe pastaj pritet të vihet në funksion edhe autostrada energjetike mes dy vendeve.

Top Channel