Kosovë, mjekët protestojnë kundër mediave

10/03/2015 00:00

Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Prishtinë proteston kundër raportimeve në media për një lindje të parregullt në këtë klinikë javën e kaluar. Drejtoreshës dhe mjekëve nuk u ka pëlqyer fakti se mediat kanë raportuar mbi lindjen e një pacienteje në korridor dhe fjalëve fyese të mamive në drejtim të saj.

Nëna madje ishte detyruar nga stafi i klinikës të shkruante një letër për mediat dhe pas lindjes klinika vuri në dispozicion të mediave një foto të nënës me beben për të treguar se ato gëzonin shëndet të plotë.

Se lindja është kryer në koridorin e klinikës dhe se lehona është ofenduar nga mamitë, thuhet edhe në letrën e nënshkruar nga vetë gruaja në fjalë.

Drejtoresha e klinikës gjinekologjike, Myrvete Pacarada, tha se i përmbahen udhëzimeve të OBSH-së, sipas të cilave lindja normale ndihmohet nga mamia në vendin ku dëshiron gruaja. Por, ajo mohoi se kjo lindje është kryer në korridorin e klinikës:“Gruaja ka të drejtë të lindë edhe në shtratin e vet, ka të drejtë të lindë edhe në dysheme, në pozitën e cila asaj i konvenon. Gruaja ka lindur në prezencë të mamisë. Kur e ka parë mamia që gruaja është duke lindur, i ka thënë të shtrihet në tokë, e vërtetë, por jo në korridor, Ajo ka lindur në sallën e lindjes. Jo në korridor. Ju lutem shumë që të dalloni mirë: korridori mund të jetë edhe korridori i televizionit edhe i klinikës, ai është korridor, por ka lindur në sallën e lindjes.”
 
Reagimet e ashpra për trajtimin e lehonës vijuan në media dhe në opinionin publik, aq sa të martën mjekët e klinikës së gjinekologjisë në QKUK mbajtën protestë kundër mediave dhe kërcënojnë se do të shkojnë deri në grevë.
 
Kjo protestë u organizua bashkë me Shoqatën e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës, Shoqatën e Mamive të Kosovës, përfaqësuesit në Odën e Mjekëve nga KOGJ, Odën e Infermierëve dhe të profesionistëve të tjerë shëndetësorë, si dhe me sindikatën pranë klinikës së Gjinekologjisë.

Top Channel