Krimet e Rënda, 9.5 vjet burg dy shtantazhuesve

10/03/2015 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 9 vjet e gjysmë burg për dy persona, të akuzuar për grabitje pasurie me anë të shantazheve.

Pala e akuzës pretendon se shtetasit Ermal Mrruku dhe Klodiana Driza, përmes kanosjes, u kanë zhvatur shuma të konsiderueshme parash dy shtetasve.

Nga hetimet është zbuluar se personat e dëmtuar njiheshin në rrethana të veçanta me Klodiana Drizën dhe krijonin lidhje intime me të.

Më pas tek ata, po në mënyrë të veçantë, paraqitej Ermal Mrruku, i cili hiqej si bashkëshorti i gruas dhe u kërkonte para me argumentin se e kishin ofenduar.

Më vonë është zbuluar edhe se, përmes kërcënimeve që do t’u tregonin familjeve të tyre, Mrruku dhe Driza u kanë marrë dy personave përveçse para, edhe prona të patundshme, kryesisht apartamente.

Procesi në gjykatë ndaj dy të pandehurve u zhvillua me gjykim të shkurtuar. Dënimin më të rëndë e ka Mrruku, 5 vjet e 4 muaj burg, ndërsa Driza 4 vjet heqje lirie.

Top Channel