PD: Shefi i Forcave Operacionale, pjesë e pazareve të drogës

10/03/2015 00:00

Partia Demokratike, përmes deputetit Arben Ristani, ka denoncuar sërish inkriminimin, sipas saj, të administratës shtetërore, që sa vjen e intensifikohet.

Në një deklaratë për mediat, Ristani e ka vënë theksin tek inkriminimi në radhët e Policisë së Shtetit, duke shigjetuar drejtorin e Forcave Operacionale.

“Drejtori i Forcave Operacionale është kapur së fundmi i përfshirë në korrupsion dhe trafik droge. Pak javë më parë u ndalua një nga oficerët e kësaj strukture, Hamza Demushi. Pas hetimeve rezultoi se Demushi ishte i dërguar, i mandatuar në këtë tregti droge, nga shefi i tij, pikërisht nga drejtori Alban Ahmetaj. Ne nxisim prokurorinë të hetojë e të mos ndikohet nga presionet e Tahirit dhe Didit, pasi ky person është i afërt me ta”, ka deklaruar Ristani.

Sipas tij, oficeri Alban Ahmetaj ka qenë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, por është rikthyer “me rilindjen” në krye të strukturës më delikate.

“Forcat operacionale janë përgjegjëse për mbulimin, vëzhgimin dhe gjurmimin me metodat speciale të hetimit. Pra, kjo strukturë kryen operacionet më të rëndësishme kundër krimit dhe trafikut, kundër bosëve të drogës. Merreni me mend se çfarë ndodh me trafikun e drogës, kur shefi i kësaj strukture, përgjegjësja kryesore për ndalimin e narko-trafikut, është vetë pjesë e pazareve të pista e të jashtligjshme. Kjo do të thotë se banda më e rrezikshme e drogës është në radhët kryesore të Policisë së Shtetit”, ka vijuar Ristani.

Këto fakte tronditëse, sipas tij, janë dëshmia se sa thellë ka penetruar krimi në zyrat më të rëndësishme të shtetit.

“Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve dhe kur kryeministri i vendit rezulton pjesë e këtij skenari, si bashkëpunëtor, fshehës i ngjarjes dhe i gjurmëve të krimit. Këta të dy janë etërit e aleancës me krimin dhe të ngjitjes së krimit në majë”, ka shtuar deputeti demokrat.

Duke theksuar se, shqiptarët dhe Shqipëria nuk e meritojnë këtë shkallë inkriminimi, Ristani ka ftuar të gjithë që të marrin pjesë në protestën e 12 marsit, në sheshin Skëndërbej, nga ora 11.00.

Top Channel