Avramopulos takon krerët e shtetit kosovar: Kosova, drejt lëvizjes pa viza

10/03/2015 00:00

Nuk është e largët dita kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Kështu të paktën thotë Komisioneri për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos, i cili të martën qëndroi në vizitë zyrtare në Prishtinë.

Ai u prit nga autoritetet më të larta të shtetit, ndërsa pas takimit me ministrin e Integrimit Europian dhe atë të Brendshëm, tha se Kosova ka perspektivë të qartë europiane, por duhet të punojë shumë në forcimin e rendit dhe ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

“Erdha në Kosovë që t’i ofroj ndihmë qeverisë së Kosovës që të ecë në kilometrin e fundit drejt statusit të udhëtimit pa viza. Vetëm me rezultate të vërteta në luftimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në marrjen e masave të mëdha të parandalimit të çfarëdo përsëritjeje të krizave të migrimit, unë do të isha në gjendje që t’i  nxis personalisht vendet anëtare që qytetarët e Kosovës duhet me të vërtetë të udhëtojnë pa viza, prandaj unë tani kam besim në qeverinë e Kosovës dhe përkushtimin për reforma, në këtë kontekst dhe në këtë frymë ne do të punojmë së bashku. Dhe më lejoni t’ju them se jam shumë optimist në marrëdhëniet e ardhshme dhe nuk është larg dita kur do të jemi në gjendje që ta shpallim datën”, tha Avramopulos.

Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, u shpreh optimist se deri në fund të këtij viti Komisioni Europian do të ketë rezultate konkrete për Kosovën për çështjen e vizave. Prioritet i rëndësishëm i Kosovës mbetet edhe nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim-asocimit për të cilën ministri tha se autoritetet kosovare janë të gatshme.

“Jemi të gatshëm për ta nënshkruar këtë marrëveshje dhe po presim nga komisioni që të japë dritën jeshile për një gjë të tillë, ndërsa një proces tepër i rëndësishëm për qytetarët është procesi i liberalizimit të vizave. Sukseset e deritanishme janë të prekshme, kështu që unë mbetem optimist që fundi i këtij i viti do të sjellë mesazhe dhe vendime pozitive për qytetarët e Kosovës në të dy këto prioritete që unë i përmenda duke përfshirë edhe çështjen e liberalizimit të vizave.”

Komisionieri i brendshëm Avramopulos zhvilloi takime të veçanta me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministrin Isa Mustafa. Në njoftimin për media  thuhet se Komisioneri Europian ka thënë se do të kthehet në Bruksel shumë më optimist për progresin e arritur në axhendën europiane. Nga takimi me kryeministrin Mustafa bëhet e ditur se temë e bisedës ka qenë kontrollimi i fluksit të emigracionit dhe masat që ka marrë qeveria e Kosovës për menaxhimin e të kthyerve, duke veçuar fëmijët që kanë braktisur shkollat. Në njoftimin për media thuhet se kryeministri Mustafa i ka vënë theks të veçantë nënshkrimit të marrëveshjeve për punësim sezonal të kosovarëve në vendet e BE-së.

Top Channel