Paloka: Protesta jonë, jo si 21 janari. E përbashkëta është vetëm Ilir Meta

10/03/2015 00:00

Demokratët refuzojnë ta krahasojnë protestën e tyre të 12 marsit me protestën e 21 janarit 2011, kur socialistët ishin në opozitë. Sipas nënkryetarit demokrat Edi Paloka, ndryshimi thelbësor është te qëllimi i protestës, pavarësisht ngjashmërisë që ajo merr për shkak të përfshirjes së kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

“Në fakt ka shumë ngjashmëri në këtë histori, siç e thatë edhe ju është personazhi i njëjtë. Mesa duket, ky personazh histori të tilla di të krijojë. Por absolutisht nuk do të ketë ngjashmëri 21 janari i Edi Ramës me protestën tonë të së enjtes. Protesta jonë është protestë e qytetarëve për kërkesat e qytetarëve, ndërsa 21 janari ishte përdorim i qytetarëve prej Ramës për ta çuar atë në karrigen e kryeministrit, gjë që ai nuk e arriti dhe la pas 4 të vrarë”, tha Paloka.

Demokratët e kanë konceptuar protestën e së enjtes si një demonstrim kundër Qeverisë, e cila sipas opozitës, ka dështuar t’u japë qytetarëve siguri për jetën dhe, në vend që të mbante premtimet me të cilat erdhi në pushtet, po përkeqëson çdo ditë gjendjen.

“Pakënaqësia e qytetarëve ka shkuar drejt revoltës dhe këtë, jo se e ka nxitur opozita, prandaj dhe kërkesa për zgjedhje të parakohshme ka ardhur si domosdoshmëri, si pasojë e faktit që asgjë nuk mund të ndryshojnë, as deputetët e opozitës në Parlament me fjalën e tyre, as institucionet ndërkombëtare me vërejtjet e tyre për këtë mazhorancë, që tani është e inkriminuar deri në thelb dhe nuk ka ndërmend as të ndryshojë dhe as të përmirësojë gjë”, shtoi më pas Paloka.

Të enjten, deputetët demokratë do të jenë në seancë plenare, paralel me protestuesit në sheshin “Skënderbej” dhe më vonë do t’u bashkohen atyre në protestën paqësore për zgjedhje të parakohshme.

“Në filozofinë e PD nuk ekziston dhuna, marrja e pushtetit me dhunë, siç është në kokën e Edi Ramës, kështu që të jenë të qetë qytetarët se askush nuk mendon të zhvillojë protesta të dhunshme në PD”, tha Paloka.

Gjatë periudhës së opozitës, Partia Demokratike ka zhvilluar disa protesta, që kanë zgjatur rreth 1 orë, por këtë herë, mesa duket, do të jetë ndryshe.

“Sesi do të zhvillohet apo do të shkojë protesta, kjo u takon qytetarëve, sepse janë ata që na kanë kërkuar të protestojmë, që të gjejmë forma të tilla proteste deri në largimin e kësaj Qeverie”, deklaroi Paloka.

Disa të rinj e kanë gjetur një formë proteste para Kuvendit të Shqipërisë. Që prej së hënës, të rinjtë pa logo partiake, por të mbështetur nga deputetët e opozitës, kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Deri të enjten, të rinjtë kanë zgjedhur të protestojnë paradite dhe në mbrëmje përpara Kryesisë së Kuvendit.

Paloka: Meta pranoi se fshehu krimin, konfirmoi akuzat e PD-së

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, në një deklaratë për mediat ka përsëritur akuzat ndaj kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, për planifikimin e vrasjes së dy deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi.

Duke komentuar daljen televizive të kreut të LSI-së mbrëmjen e së hënës, Paloka e ka cilësuar Metën një të dëshpëruar që flet përçart për të shpëtuar nga akuza më e rëndë e 25 viteve në politikë.

“Ai është akuzuar nga radhët e mazhorancës, me zë e me figurë, se ka paguar për eliminimin fizik të dy deputetëve, ndërkohë që sheh si kamerdare shpëtimi sulmin ndaj opozitës. Dje, Ilir Meta u shfaq si njeriu që ka kryer krimin dhe kërkon të lajë duart. Ai pranoi se akuzat e Tom Doshit janë mbajtur të fshehura për 6 muaj dhe tani që ai është përjashtuar nga grupi i Partisë Socialiste, këto akuza nuk paskan më vlerë”, deklaroi Paloka.

Sipas tij, Meta konfirmoi akuzën kryesore të Partisë Demokratike kur tha se, kishte ftuar dhe takuar familjarë të deputetit Fufi, me qëllimin, sipas tij, që t’i faturonte opozitës porosinë për vrasjen e tij.

“Kontradiktor dhe kaotik, Ilir Meta është sot në sytë e mbarë opinionit publik, nën akuzë për vrasjen e dy deputetëve. Askush nuk e njeh më për kryetar Kuvendi një person nën akuzën më të rëndë të Kodit Penal. E megjithatë, Ilir Meta nuk jep asnjë shenjë përgjegjshmërie”, vijoi Paloka.

Duke i përsëritur thirrjen për dorëheqje, deputeti i PD-së theksoi se vetëm kështu mund të kryhet një hetim i drejtë nga prokuroria, ndërsa përsëriti ftesën për protestën e së enjtes.

Top Channel