LSI: Të përgatitemi për zgjedhjet. Opozita, bllokuese e ndryshimeve ligjore

10/03/2015 00:00

Ndërsa opozita ka vendosur në krye të axhendës së saj largimin e Ilir Metës nga posti i kryetarit të Kuvendit, LSI kërkon miratimin e ndryshimeve ligjore në funksion të zgjedhjeve të 21 qershorit.

Ndryshimet teknike në Kodin Zgjedhor dhe ato në ligjin për Pushtetin Vendor janë bllokuar, tha Petrit Vasili, nga qëndrimi siç e quajti ai, “bojkotues dhe bllokues” i opozitës, që për interesa politike të ditës ka harruar interesat e qytetarëve.

“Shumë pak kohë na ka mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Koha nuk pret më. Kërkojmë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor si dhe ndryshimet për ligjin e organizimit dhe funksionimin e qeverisë vendore të paraqiten sa më parë për miratim në seancë plenare”, tha zoti Vasili.

Duke rikujtuar se opozita nuk ka bashkëpunuar as për reformën territoriale, Petrit Vasili shtoi se Partia Demokratike nuk do të pritet pa fund: “Ne do e presim, por sigurisht brenda atyre limiteve që Kushtetuta na imponon”.

Top Channel