Myftiu Tërnava: Kosova nuk ka gjak për të ujitur tokat arabe

10/03/2015 00:00

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, përkrah ligjin kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja. “Ata të cilët marrin këtë rrugë, i pret edhe dënimi, është një ligj që unë dhe Bashkësia Islame e kam përkrahur sepse ne nuk kemi gjak të njomë që të ujisim shkretëtirat e arabëve”, shprehet Tërnava në një intervistë për ‘Radion Europa e Lirë’.

Sipas tij, besimtarët që po shkojnë në Siri po mashtrohen, pasi bazuar në fenë dhe parimet islame, “nuk lejohet kurrsesi, në asnjë mënyrë, në asnjë kohë, asnjëherë, që dikush në emër të fesë t’i bëjë keq vetes, t’i bëjë keq vendit të vet, t’i bëjë keq atdheut”.

“Bashkësia Islame e Kosovës në këtë drejtim është një portë e hekurt mbi të cilën nuk mund të kalojë askush asnjëherë për të prishur marrëdhëniet ndërfetare, të cilat ekzistojnë jo vetëm në Kosovë, por brenda kombit shqiptar, kudo që ata jetojnë, brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe në mërgatën e largët”, vazhdon më tej myftiu i Kosovës.

Gjatë intervistës ai sqaron se për ligjëratat të cilat mbahen nëpër xhamitë e Kosovës, mban përgjegjësi Bashkësia Islame e Kosovës. Ndërsa në jetën private të imamëve, “nuk është punë e jona, se ku ata shkojnë, çka ata bëjnë pas orarit të punës. Ajo është punë që u takon institucioneve të shtetit”.

Arsyet që Tërnava rendit si shkaktare të ikjes së qytetareve në Siri e Irak nuk janë ekonomike, por se ata janë të mashtruar: “Kanë marrë këtë hap nga injoranca, nga mosdija. Mirëpo, mundet që edhe ata të jenë mercenarë, të paguar me para dhe kanë mësyrë atë rrugë.”

Për Tërnavën, sipas Islamit, vrasja e një njeriu të pafajshëm është njësoj si të vrasësh tërë njerëzimin. Ndaj, të gjithë ata të cilët tentojnë që këto që po ndodhin atje t’i identifikojnë me Islamin, gabojnë dhe nuk e njohin Islamin, deklaron kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Top Channel