Vëzhgimi i USAID: Mungojnë pajisjet në Qendrat Shëndetësore. Beqja: I nevojshëm përmirësimi i njohurive

10/03/2015 00:00

Një pjesë e mirë e Qendrave Shëndetësore në vend nuk kanë pajisjet e duhura për të ofruar shërbim shëndetësor cilësor ndaj qytetarëve. Ambasadori amerikan Donald Lu bëri publik të dhënat e një vëzhgimi të kryer në 550 Qendra Shëndetësore në vend, në tetor të vitit 2014, nga një projekt i mbështetur nga USAID.

“Vetëm 57% e klinikave kishin pajisjet e duhura, vetëm 54% kishin ilaçet e sakta, vetëm 32% e rasteve të sëmundjeve brenda familjes ishin dokumentuar siç duhet”, deklaroi ambasadori Donald Lu.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj theksoi si tepër të rëndësishëm jo vetëm furnizimin e Qendrave Shëndetësore me pajisjet e duhura, por dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në sistemin shëndetësor, gjë e cila ka filluar me “check up”-in e saponisur nga mjeku i familjes. Por ministri i Shëndetësisë risolli në vëmendje edhe njëherë rifreskimin e dijeve të mjekëve.

“Për ta bërë më thjesht të aksesueshëm, e përsëris që do të jenë në dispozicion edhe njësitë e lëvizshme, sepse besojmë që mbulimi universal, nëse nuk shoqërohet me aksesin universal, mbetet diçka utopike. Prandaj kërkojmë  të spostojmë sa më shumë vëmendjen te parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm, i cili padyshim që bëhet në shërbimin parësor. Gjë që kërkon më shumë infrastrukturë në këtë shërbim, më shumë pajisje ekzaminuese dhe, padyshim, dije sa më të freskëta dhe të rifreskueshme për personelin shëndetësor”, u shpreh ministri.

Beqaj u ndal te shërbimi shëndetësor falas, duke theksuar se sigurimet shëndetësore nuk janë efektive.

“Praktikisht, të paktën gjysmën e popullsisë në moshë pune e kemi pa këto sigurime, dhe për pasojë nuk përfiton nga sistemi i kujdesit shëndetësor, përveç rasteve të urgjencës mjekësore, apo rasteve të përcaktuara në ligj. Së dyti, edhe ata që i kanë sigurimet praktikisht përfitojnë shumë pak prej tyre, sepse kemi një sistem jo prezent kudo të aksesueshëm. Ndaj jemi angazhuar që brenda këtij programi të kalojmë te mbulimi universal, të financuar nga taksimi i përgjithshëm. Thënë ndryshe; çdo njeri që jeton në Shqipëri, është rezident në vendin tonë, paguan taksa konsumi, që janë kryesoret në Shqipëri, do të përfitojë të njëjtin kujdes shëndetësor pa pagesë”, tha më tej Ilir Beqaj.

Sipas tij, shëndetësia falas ka nisur të ofrohet pasi, si në rastin e “check up”-it, që tanimë ka nisur të funksionojë në 100 Qendra Shëndetësore dhe në javët në vazhdim do të jetë i pranishëm në 415 të tillë, por dhe kontrollet nëpërmjet mamografive të lëvizshme, janë duke u ofruar falas.

Top Channel