Ministria e Brendshme i përgjigjet Ristanit: Çështja është nën hetim. Ndalni shpifjet!

10/03/2015 00:00

Ministria e Brendshme reagoi ndaj akuzave të Partisë Demokratike se drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë përfshirë në trafik droge dhe veprimtari të tjera kriminale.

Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ka denoncuar sërish atë që e quajti inkriminim të administratës shtetërore, që sa vjen e intensifikohet. Ristani vuri theksin te radhët e Policisë së Shtetit, duke shigjetuar drejtorin e Forcave Operacionale.

“Bëjmë me dije publikun, se hetimet të cilave iu referohet lexuesi i deklaratës së radhës, janë nisur dhe ende sot vazhdojnë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (ish-SHKB). Çështja është në hetim për një punonjës policie të arrestuar tashmë, por gjithashtu po hetohet edhe për përfshirjen e mundshme të çdo punonjësi tjetër të Policisë së Shtetit, pa asnjë dallim. I kujtojmë publikut se vetëm gjatë vitit 2014, janë arrestuar, proceduar penalisht dhe marrë masa administrative për mbi 11% të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ky është treguesi më i qartë se sot në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, ashtu siç tregon vullnetin tonë të qartë për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo punonjës policie që nuk zbaton ligjin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Brendshme i bën thirrje Partisë Demokratike të heqë dorë nga pengimi i punës së Policisë së Shtetit dhe të rreshtohet në krah me ata që luftojnë krimin, për të bërë më të sigurt vendin dhe jetën e qytetarëve.

“Është e vetmja Parti që sulmon Policinë dhe jo kriminelët. Sot doli një ish i dënuar për korrupsion dhe hodhi dozën ditore të shpifjeve absurde ndaj Policisë së Shtetit, nën moton e ditur tashmë, ‘na nxjerrin të shpifim në emër të Partisë e nuk mbajmë përgjegjësi për çfarë themi”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Top Channel