Partia Demokratike Shqiptare ka reaguar ashpër lidhur me deklaratat, që lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, bëri gjatë një interviste për emisionin “Shqip” në Top Channel, një ditë më parë. Sipas PDSH-së opozitare, Zaev po tenton të njollosë pa argumente jo vetëm opozitën shqiptare në Maqedoni, por edhe udhëheqësit shtetërorë të Tiranës dhe Prishtinës.

“Zoran Zaev, ashtu siç tentoi ta njollosë opozitën shqiptare në Maqedoni, konkretisht PDSH-në, pa asnjë fakt, të njëjtën gjë bëri mbrëmjen e së hënës edhe për udhëheqësit shtetërorë të Shqipërisë e Kosovës, duke dhënë kualifikime politike me tendencë të qartë për të vënë në hipotekë tërë klasën politike shtetërore shqiptare. Veçse është shumë e qartë se, qëllimi i Zaevit të sotëm është njësoj si qëndrimi i djeshëm i Gligorovit e Cervenkovskit, që të përçahen dhe të njollosen shqiptarët. I themi publikisht këtij sharlatani nga Strumica, që falsifikon e shpif, monton dhe fantazon, larg duart dhe thonjtë nga shqiptarët. Larg duart nga Shqipëria e Kosova, je shumë i vogël për këto punë”, është shprehur Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Në reagimin e saj, PDSH-ja opozitare e Menduh Thaçit ftoi autoritetet e Shkupit të kërkojnë falje për shpifjet, që ka bërë Zaev sipas këtij subjekti në drejtim të politikanëve në Tiranë dhe Prishtinë.

“PDSH kërkon urgjentisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, që të kërkojë falje ndaj qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, për skandalin e madh që bëri Zoran Zaev me shpifjet e tij. Dhe në fund, PDSH-ja kërkon që Zoran Zaev, me veprimet e tij sharlataneske dhe keqbërëse, t’i drejtohet ose institucioneve shëndetësore, ose atyre të drejtësisë”, tha më tej Bekim Fazliu.

Deklaratat që Zaev dha në intervistën për emisionin “Shqip” kanë zënë vend në shumicën e mediave në Shkup. Një ditë më parë, ai deklaroi mes të tjerash se Qeveria e Gruevskit ka përgjuar edhe bisedat mes zyrtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe atyre në Tiranë e Prishtinë.

Zaev, po ashtu tha se posedon dëshmi, se dy subjetet shqiptare BDI dhe PDSH janë të kapura dhe kontrollohen nga Qeveria e Maqedonisë. Por lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i ka quajtur të pavërteta akuzat se partia e tij kontrollohet nga pushteti.

Gjatë një interviste për një televizion të Tetovës, Thaçi i ka siguruar shqiptarët se nuk ekziston asnjë material, që dëshmon për përfshirjen e tij apo të bashkëpunëtorëve të tij në ndonjë aferë korruptive.

Top Channel