BE krijon Fondin për Investimet Strategjike

10/03/2015 00:00

28 Ministrat e Financave të BE-së miratuan rregulloren për krijimin e Fondit Europian të Investimeve Strategjike, që përbën thelbin e Planit të Investimit për Europën të Komisionit Junker, prej 315 miliard euro dhe për Zv.Presidentin Katainen ky vendim heq pengesën drejt përshtatjes së rezervave të bollshme të likuiditetit me projektet e mundshme të investimeve.

“Ne duam të garantojmê se të gjitha kompanitë e sektorit privat në 28 shtetet anëtare mund të përfitojë dhe për këtë është e rëndësishme një qendër këshilluese. Ne do të mbledhim ekspertizë nga Banka Europiane e Investimeve dhe Komisioni, por duam ta kombinojmë edhe me ekspertizën e bankave promovuese kombëtare. Tani u takon investitorëve privatë për të propozuar projekte ekonomikisht të zbatueshme me risk të lartë”, thotë Jyrki Katainen, Zv.President i KE për Punësim, Zhvillim, Investime e Konkurrencë.

Vendet anëtare u pajtuan brenda dy muajsh mbi këtë propozim të Komisionit, por në mënyrë që investimet e reja të nisin në mes të këtij viti, nevojitet marrëveshje e plotë në Qershor.

Ende pa u krijuar Fondi Europian për Investimet Strategjike, 4 vende anëtare janë deklaruar për të kontribuar përmes Bankave Promovuese Kombëtare përkatëse. Gjermania, Franca, e Italia angazhojnë 8 miliard euro, ndërsa Spanja 1.5 miliard euro. Komisioni paraqiti gjithashtu raportet specifike të 26 Shkurtit ndaj Këshillit dhe ministrat e BE-së pritet t’i rikthehen në Maj shqyrtimit të politikave ekonomike të vendeve anëtare.

Por, Këshilli i BE-së i la edhe dy vjet kohë Francës për të korrigjuar tejkalimin e defiçitit dhe qasjen e tij nën nivelin 3 përqind brenda 2017-ës. Për këtë, Parisit i kërkohet të përmirësojë balancën e strukturës fiskale me 0.5%, dhe jo 0.3%, të GDP-së këtë vit, me 0.8% në 2016 dhe me 0.9% të GDP-së në 2017.

Këshilli shqyrtoi dhe zbatimin e Unionit Bankar, ku u bën thirrje vendeve anëtare të shpejtojnë marrëveshjet ndërqeveritare dhe të zbatojnë Direktivën e BE-së mbi shërimin dhe zgjidhjen e bankave të dështuara.

Top Channel