SHBA, të shqetësuara për shkurtimet e shpenzimeve të mbrojtjes në NATO

10/03/2015 00:00

Samantha Power, diplomatja amerikane në Kombet e Bashkuara, ka paralajmëruar për një “humnerë të rrezikshme” që po lind mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian sa i përket shpenzimeve në fushën e mbrojtjes. Ajo ka apeluar ndaj qeverive europiane të shpenzojnë më shumë.

Duke folur për një program radiofonik të BBC-së, Power deklaroi se shkurtimi i buxheteve të mbrojtjes në Europë është bërë gjithnjë e më shumë “shqetësues”. Edhe pse Britania aktualisht i mbulon kërkesat dhe objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në NATO, nuk ka asnjë angazhim të deklaruar për të respektuar atë edhe përtej zgjedhjeve të përgjithshme.

Ambasadorja e SHBA-ve në OKB tha se kishte udhëtuar drejt Brukselit për të inkurajuar udhëheqësit e vendeve të NATO-s për të përmbushur objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes, i cili aktualisht është sa 2% e prodhimit të brendshëm të çdo shteti. Diplomatja amerikane tha se në “shumicën e rasteve” shpenzimet e mbrojtjes në Europë janë tkurrur, edhe pse kërcënimet ndaj sigurisë sa vijnë e po shtohen.

Mes të tjerave, ajo paralajmëroi se “numri i misioneve që kërkojnë ushtri të avancuara për të kontribuuar anembanë botës po rritet, nuk po tkurret”. Qeveria britanike është e angazhuar të respektojë objektivin e shpenzimeve sa 2% e GDP-së deri në fund të legjislaturës aktuale, por nuk ka premtuar asgjë përtej saj, angazhime që duhen ofruar qoftë nga konservatorët, ashtu dhe nga laburistët.

Britania është një prej të paktave vende që përmbushin objektivin tha Power, e cila shtoi se “Mbretëria e Bashkuara ka qenë e jashtëzakonshme. Ka qenë një aleat i patundur i NATO-s dhe gjithnjë e gatshme qoftë në sulmet ajrore ndaj ISIS, ashtu edhe në luftën ndaj Ebolës, apo misionet në Afganistan”.

Megjithatë, ambasadorja amerikane paralajmëroi se “jemi duke shqyrtuar një numër kërcënimesh serioze, prej të cilave është edhe emigracioni i paligjshëm drejt Europës, një metodë që mund të shfrytëzohet edhe nga ISIS, e megjithatë shpenzimet europiane të mbrojtjes ende nuk kanë arritur në nivelin e dëshiruar të vendosur si objektiv”.

Top Channel