Tom Doshi: Hetimet po dekonspirohen. Do kërkoj ekspertë ndërkombëtarë

10/03/2015 00:00

Në një postim të gjatë në profilin e tij në rrjetin social Facebook, deputeti Tom Doshi shprehet i vendosur për t’i shkuar deri në fund denoncimit të asaj që ai e quan ‘një akt terrorist për të vrarë dy deputetë nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë’.

Doshi ndalet në disa pika që i quan fakte dhe shqetësime mbi procesin e hetimit. Në pikën e parë ai hedh poshtë akuzat për bashkëpunim me Sali Berishën.

“Tom Doshi nuk ka bashkëpunuar kurrë me Sali Berishën në të shkuarën dhe nuk do të bashkëpunojë në të ardhmen me këtë person. Jam kundërshtar politik me Sali Berishën dhe kështu do të mbetem”, shkruan ai.

Në pikën e dytë, Doshi shprehet se hetimet ndaj Metës janë dekonspiruar.

“Kam informacione që hetimet që po bëhen për akuzat e mia ndaj Metës janë të dekonspiruara. Një shoqe e Monikës raporton çdo ditë për ato që ndodhin aty. Pavarësisht se unë nuk i paragjykoj hetimet, konstatoj se ato po nxitohen me qëllim, për t’u mbyllur shpejt, pa arritur t’i bëhet një zbërthim shkencor çdo fakti”, thotë Doshi.

Ish-anëtari i grupit socialist në parlament, që një ditë më parë u ballafaqua me Mark Frrokun në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mirëpret propozimet që hetimet të kryhen nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë.

“Do t’i kërkoj që nesër me shkrim Prokurorit të Përgjithshëm që të kërkoj ekspertizë ndërkombëtare për hetimet. Në kushtet që Prokurori i Përgjithshëm dhe ai i Krimeve të Rënda kanë ngjallur dyshime për mua, se bashkëpunonin me të akuzuarit rezultatet janë të kompromentuara. Akuza që unë kam bërë ndaj Ilir Metës është shumë e rëndë. Ajo duhet gjykuar nga një grup prokurorësh shqiptarë dhe të huaj, ashtu siç u hetua dosja e Azem Hajdarit, me europianë e amerikanë që kanë eksperiencë dhe neutralitet ndaj të hetuarve”, shkruan Doshi.

Ai i qendron akuzave të tij të mëhershme për lidhje të Ilir Metës me Fatjon Skënderin.

“Kam degjuar se Fatjon Skënderi paska ardhur në Tiranë me garanci nga shteti se nuk do arrestohet, për të folur në Prokurori. Cili shtet jep një garanci të tillë? Pse trajtohet ky person ndryshe nga Durim Bami? Mos ka ndikuar Ilir Meta që drejtësia t’i ofrojë këtij garanci? Nga informacionet që më ka sjellë një deputet i maxhorancës në Kuvend, rezulton se Fatjon Skënderi është i dënuar për trafik ndërkombëtar droge nga gjykata shqiptare. Shkalla e Parë dhe Apeli i kanë dhënë 13 vjet burg për të vuajtur 9 vjet, meqë e kishte pranuar akuzën”, shkruan Doshi.

Ai thotë se Fatjon Skënderi është i dënuar edhe nga drejtësia italiane me 17 vite burgim dhe procesi gjyqësor ndaj tij vazhdon, ndërsa shton se kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka lidhje me Fatjon Skënderin.

“Ilir Meta ka mohuar njohjen me këtë person, por mua ma ka pranuar njohjen dhe takimin tek lokali VIVA. Prokuroria për të provuar këtë gënjeshtër duhet të verifikojë me kujdes tabulatet e Tonit në kohën kur trafikonte drogë në Kosovë dhe Itali. Sa herë ka folur ky person me Monika Kryemadhin në këtë periudhë? Është detyrim para shqiptarëve që këto gjëra të zbardhen njëherë e përgjithmonë. Toni i Metës dhe i Monikës ka bërë dhe porosi të tjera për vrasje, të cilat fatkeqësisht janë finalizuar në krim. Së shpejti ai duhet të sqarojë se kush ka qenë porositësi i vrasjeve të tjera. Njerëzit po e vrasin frikën dhe kanë filluar të tregojnë më shumë se sa dimë deri tani”, shkruan Doshi.

Në shkrimin e tij të gjatë, deputeti i Qarkut të Shkodrës nxjerr në skenë një tjetër emër.

“Jam informuar nga një i njohuri im, se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dje (të hënën) është bërë një kallzim penal nga Petrit Cinari, një ish-oficer nga Skrapari. Në këtë kallzim është deklaruar se babai i Ilir Metës, rreth 1 vit e gjysmë më parë e ka thirrur Petritin në Gjirin e Lalzit dhe i ka kërkuar atij me porosi të Ilir Metës që të vrasë Tom Doshin. Ky person paska punuar bashkë me Rexhep Metën në ushtri dhe paska qenë qitës i shkëlqyer. Pas rikthimit të tij nga Amerika, babai Ilirit e paska gjetur, ftuar në Gjirin e Lalzit dhe bërë ofertën makabre, e cila duket se nuk është pranuar nga Petriti. Ky person, me guximin e lavdërueshëm qytetar ka shkuar me vullnetin e tij të lirë dhe ka denoncuar këtë porosi të re vrasjeje. Këtë informacion mund ta konfirmojë Prokuroria”, thuhet në shkrimin e Doshit.

Deputeti bën thirrje që ky person të merret menjëherë në mbrojtje, ndërsa i rikthehet edhe njëherë disa qendrimeve mbi personin e tij.

“Jam i habitur që vazhdojnë flasin për personin tim negativisht, sikur unë jam kriminel. Unë nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë problem me drejtësinë, prandaj u bëj thirrje këtyre personave të ndalin këto sulme të padrejta ndaj meje, pasi duhet të marrë fund politika e shpifjeve në vendin tonë”, mbyll shkrimin e tij Tom Doshi.

Top Channel