Monika Kryemadhi, në prokurori: Gati të ballafaqohem me Tom Doshin

10/03/2015 00:00

Listës së deputetëve dhe zyrtarëve të lartë që iu drejtuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dëshmuar mbi çështjen “Doshi”, iu bashkua edhe deputetja Monika Kryemadhi.

Emri i saj ka dalë nga deputeti Tom Doshi, i cili thotë se ajo është në dijeni të njohjeve të Ilir Metës me Fatjon Skënderin, për të cilin deputeti i qarkut të Shkodrës pretendon se është ndërmjetësuesi që ka paguajtur Durim Bamin për ekzekutimin e tij.

Pikërisht për këto deklarata rreth orës 19:30 të së martës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u paraqit vetë deputetja, njëkohësisht bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi.

Për thuajse dy orë Kryemadhi ka dhënë versionin e saj të ngjarjes dhe në dalje ka lëshuar edhe një deklaratë të shkurtër përpara mediave, duke u shprehur e gatshme të bashkëpunojë me organin e akuzës sa herë të jetë e nevojshme.

“Dhashë shpjegimet e mia rreth ngjarjes. Jam gati të ballafaqohem me
Tomën dhe shokët e tij për çdo problem që ka. Malësori Tom Doshi merret
me gratë dhe fëmijët. Nëse përmenden familjarët, i them Tomës se gjyshja
ime ka vdekur nëse ka ndërmend ta përfshijë në krim”, ”, tha Kryemadhi
duke mos iu përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse e njihte apo jo
shtetasin Fatjon Skënderi, i përmendur nga Tom Doshi.

Deri më tani në lidhje me këtë çështje janë marrë deklarimet e një sërë politikanësh, ndërsa pritet që në ditët në vijim kësaj liste t’i shtohen edhe emra të tjerë, të cilët janë përmendur nga deklarimet e bëra përpara organit të akuzës.

Sot do të dëshmojë kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka dhe Fatjon Skënderi, i akuzuar nga Doshi se ishte pjesë e planit të ekzekutimit të tij.  
 

Top Channel