Basha: Skandali “Doshi” ka tronditur BE-në. Partnerët mbështesin dekriminalizimin

10/03/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli në Strasburg për shqetësimet e opozitës në lidhje me situatën politike në vend, ndërsa vuri theksin në domosdoshmërinë e dekriminalizimit.

Ai ishte i ftuar nga Grupi Paneuropian i Parlamentit Europian në konferencën me temë “Zhbërja e standardeve demokratike dhe sfidat e Shqipërisë në integrimin europian”.

“Plasja e skandalit brenda mazhorancës sipas të cilit prej gjashtë muajsh kryetari i Kuvendit është akuzuar për vrasjen e dy deputetëve me pagesë, ndërsa Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm janë përpjekur ta fshehin, ta mbajnë të fshehtë këtë ngjarje, ka shkaktuar një tronditje të thellë në institucionet e Bashkimit Europian. Është Parlamenti Europian që në fund të vitit të kaluar u angazhua për dekriminalizimin dhe sot këtu në Strasburg në prani të këtyre institucioneve është theksuar nga bashkëfolësit e mi se nevoja për dekriminalizimin e politikës shqiptare është më akute se kurrë më parë. Kjo klimë e papreçedentë e penetrimit të krimit deri në kupolën e shtetit është shumë shqetësuese, por nga ana tjetër është një mundësi e madhe, kanë theksuar bashkëfolësit, për të bërë një pastrim në rrënjë të politikës shqiptare nga krimi dhe lidhjet me krimin. Kam gjetur mbështetje të plotë për nismën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin e politikës shqiptare, për aleancën me qytetarët shqiptarë për t’i dhënë një mesazh të fortë qeverisjes Rama-Meta se kështu nuk ecet përpara”, deklaron kreu i PD-së, Lulzim Basha.  

Këto shqetësime Basha i ndau edhe në takimet e zhvilluara me Komisionerin për Politikë Fqinjësore Europiane dhe Negociata për Zgjerim, Johanes Hahn dhe eurodeputët e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian.

Top Channel