Fronti Nacional “paditet” për mashtrim nga Parlamenti Europian

10/03/2015 00:00

Parlamenti Europian dyshon për parregullsi të mundshme financiare nga Fronti Nacional, në listën e pagave për asistentët, ndaj dhe presidenti Martin Schulz lajmëroi Zyrën europiane kundër Mashtrimit, OLAF, si dhe autoritetet franceze.

“Sapo të kemi dyshime për parregullsi, ne jemi të detyruar t’i drejtohemi OLAF-it dhe drejtësisë përkatëse të vendit”, tha Martin Schulz, president i PE.

Sipas tabelës së fundit, të publikuar në fund të shkurtit, partia e Marine Le Pen ka 20 asistentë, ndër të cilët 4 të akredituar dhe 16 të tjerë staf lokal, ku 10 prej tyre kanë si adresë atë të partisë së ekstremit të djathtë në Francë, çfarë hedh dyshime për punësim të trilluar.

“Ne nuk mund të paguhemi nga Parlamenti Europian dhe të punojmë në një parti”, tha më tej Martin Schulz.

Kryetarja Marine le Pen e quajti këtë denoncim të qëllimshëm kundër Frontit Nacional dhe tha se do të padisë presidentin Shultz para drejtësisë.

“Reagimet nga Fronti Nacional janë të një natyre politike, ndërsa veprimet e mia janë tërësisht administrative”, tha Martin Schulz.

OLAF detyrohet të nisë hetimet në mënyrë të pavarur mbi Frontin Nacional dhe t’i drejtohet gjykatës, nëse përfundimet dëshmojnë për mashtrim ndaj Francës apo BE-së.

Top Channel