Spanja arreston dy “xhihadistë” në enklavën e saj në Marok, gati për sulme

10/03/2015 00:00

Spanja ka njoftuar gjatë së martës se ka shkatërruar një celulë militantësh islamikë në enklavën e saj afrikano-veriore, Ceuta, e cila sipas pretendimeve të zyrtarëve spanjollë ishte gati të sulmonte qoftë në Spanjë, apo në ndonjë tjetër objektiv në Europë.

Policia ka arrestuar dy militantë të dyshuar si pjesë e një operacioni të gjerë policie, që ka nisur që nga muaji janar, siç bën të ditur Ministria e Brendshme spanjolle.

“Celula islamike e neutralizuar sot, krahasuar me rrjetet e tjera të goditura më parë, nuk ndiqte të njëjtat gjurmë radikalizimi, rekrutimi apo dërgimi të aktivistëve drejt organizatave të organizuara xhihadiste në zonat e konfliktit”, thuhej në deklaratën e lëshuar nga Ministria e Brendshme.

“Ky grup ishte qartësisht operacional dhe konsistonte në disa individë, që tashmë janë të radikalizuar dhe ishin të përgatitur për një sulm të mundshëm, ndoshta në vendin tonë, mbase në ndonjë prej vendeve fqinje”.

Dy të arrestuarit në Ceuta, një bregdet maroken, janë me kombësi spanjolle e marokene dhe u arrestuan pas të njëjtit hetim policor që çoi në arrestimin e 4 të tjerëve në janar, tha Ministria.

Të gjashtë të arrestuarit e dy operacioneve të ndryshme përfaqësojnë profile të ngjashme me ata, që u përfshinë në sulmet e Parisit më 7 dhe 8 janar të këtij viti, shtoi në deklaratën e saj institucioni spanjoll. Spanja ka bërë më shumë se 20 arrestime të militantëve të dyshuar si pjesë e lëvizjeve terroriste islamike, që prej shtatorit të vitit të kaluar.

Vendet e Perëndimit janë tepër të shqetësuara në lidhje me rrezikun që të rinjtë e radikalizuar nga militantët, në Afrikën e Veriut apo në Lindjen e Mesme, të cilët rikthehen në vendet e tyre, të mund të kryejnë ndonjë sulm pikërisht në këto vende.

Top Channel