SHBA e deklarojnë Venezuelën kërcënim për sigurinë kombëtare, nisin sanksionet

10/03/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara e kanë përfshirë Venezuelën në listën e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare gjatë së hënës, si dhe kanë vendosur sanksione ndaj 7 prej zyrtarëve më të lartë të vendit të pasur me naftë, në atë që mund të konsiderohet si grindjen më të keqe të diplomacisë bilaterale që kur presidenti socialist, Nicolas Maduro, erdhi në pushtet në vitin 2013.

Presidenti amerikan Barack Obama nënshkroi dhe më pas lëshoi një urdhër ekzekutiv, të cilin zyrtarë të lartë të administratës thonë se nuk shënjestron sektorin energjetik të Venezuelës, apo ekonominë në tërësi. Por, lëvizja acaron tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit, pikërisht në një moment kur marrëdhëniet e SHBA-ve me Kubën, një armik për një kohë të gjatë i Amerikës në Amerikën Latine dhe aleat i ngushtë i Venezuelës, priten të normalizohen.

Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, i denoncoi sanksionet si përpjekje për të rrëzuar qeverinë e tij. Në fund të fjalimit të stuhishëm që zgjati plot 2 orë, Maduro njoftoi se do të kërkonte fuqi të reja përmes një dekreti për t’u përballur me kërcënimin “imperialist”, si dhe emëroi një prej zyrtarëve të sanksionuar si ministër të ri të Brendshëm.

Deklarimi i kujtdo prej vendeve si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare është hapi i parë i fillimit të programit të sanksioneve nga SHBA. Një proces i ngjashëm është ndjekur edhe me vende të tilla, si Irani apo Siria, bëjnë të ditur zyrtarët amerikanë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se urdhri godet njerëzit, veprimet e të cilëeve minojnë proceset demokratike apo institucionet demokratike, kanë kryer akte të dhunshme apo kanë abuzuar me të drejtat e njeriut, janë përfshirë në ndalimin apo ndëshkimin e lirisë së shprehjes, ose kanë qenë zyrtarë qeverie të përfshirë në afera korrupsioni publik.

“Zyrtarët venezuelianë, në të kaluarën apo të tashmen, të cilët kanë shkelur të drejtat e njeriut të popullit venezuelian dhe janë përfshirë në skandale të korrupsionit publik nuk mund të jenë të mirëpritur në vendin tonë, ndaj dhe tashmë kemi të gjitha opsionet e mundshme për të bllokuar asetet e tyre financiare, apo mundësinë e përdorimit nga ana e tyre të sistemeve financiare amerikane”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, në një deklaratë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga përpjekjet e qeverisë venezueliane për të përshkallëzuar frikësimin e kundërshtarëve politikë”, shtoi ai.

Top Channel