25-vjetori i ASAE, bëhet anëtar edhe akademiku Anastas Angjeli

10/03/2015 00:00

Me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës, në Salcburg të Austrisë u zhvillua ceremonia e dorëzimit të diplomave për anëtarët e rinj, të pranuar gjatë vitit të kaluar.

Në këtë ceremoni iu dorëzua diploma edhe anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës, Akademik Prof. Dr. Anastas Angjelit.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës vlerësoi kontributin e këtij institucioni për zhvillimin e shkencës dhe të artit në vendet evropiane dhe të mbarë botës, duke përcjellë mesazhin “shkenca na bashkon për zhvillim dhe integrim”.

Në këtë event, ku morën pjesë personalitete akademike dhe të shkencës nga 72 shtete të botës, shpërndarja e diplomave u bë nga Presidenti i Republikës së Austrisë, Heinz Fischer. Në këtë ceremoni morën pjesë zv.kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Gudar Beqiraj.

Prof. Dr. Anastas Angjeli, i diplomuar si anëtar i kësaj akademie, ka kontribute të njohura në fushën e Ekonomisë dhe Financave, veçanërisht në atë të Financave Publike dhe të Reformave Strukturore në Ekonomi.

Pas vitit 1990, me angazhimin e tij në politikë, ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i disa kabineteve qeveritare. Angjeli, nga muaji korrik 2014, është zgjedhur anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve dhe në biografinë e tij renditen edhe disa botime.

Top Channel