Briatore kërkon me ngulm: Të sqarohet incidenti i Alonsos

10/03/2015 00:00

Aksidenti i Fernando Alonsos vazhdon të jetë objekt diskutimesh në ambientet e Formula 1. Ai që flet në lidhje me këtë çështje është Flavio Briatore, i cili kërkoi shpjegime për aksidentin e pësuar nga spanjolli në testimet e Barcelonës.

“Fernando është në gjendje të mirë – tha Briatore për Sky. – Shpresojmë që FIA ose McLaren të japin shpjegime për aksidentin sa më shpejt të jetë e mundur. Alonso qëndroi në spital dy ditë për të bërë të gjitha ekzaminimet mjekësore të mundshme dhe rezultatet ishin negative. Nëse do të kishte ndonjë problem, kjo do të ishte vënë re. Mjekët e këshilluan që të mos garojë në Melbourn, vetëm për të mos rrezikuar”.

Flavio Briatore foli edhe për ndryshimet e pësuara te Ferrari, që këtë vit do të garojë me Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen.

“Vettel është një pilot shumë i aftë, ndër më të mirët e botërorit – vijoi Briatore. – Dominoi duke pasur në dispozicion një makinë fituese, por ta krahasosh me Schumacher është ende herët. Pati shumë probleme me makinën e sezonit të kaluar, që nuk ishte në nivelet e mëparshme, gjë që nuk ndodhi me Ricciardon. Te Ferrari po flitet shumë për Vettel, si njeriu i skuadrës, por edhe Schumacher e Alonso ishin të tillë. Është entuziazmi që në skuadër ka ardhur një pilot i ri. Edhe Raikkonen duket së është bërë më i këndshëm falë Vettel”.

Top Channel