Hillary Clinton: S’kam dashur të fsheh asgjë nga email-et, respektova privatësinë”

10/03/2015 00:00

Hillary Clinton theu heshtjen e saj pas akuzave të shumta se nuk e ka përdorur adresën zyrtare të email-it, teksa shërbente si Sekretare e Shtetit amerikan.

Clinton e pranoi se deri diku kritika qëndron, por nga ana tjetër këmbënguli se është transparente dhe se nuk ka thyer rregulla ose ligje duke përdorur llogarinë e saj personale, duke bërë të qartë se pas këtij fakti nuk fshihet asnjë qëllim i dyfishtë.

“Unë e di se ka pasur shumë pyetje për email-et e mia, por duhet të dini se nuk kam dashur të fsheh asgjë. Departamenti i Shtetit ishte në dijeni të këtij fakti, që ditën e parë që unë hapa adresën time personale. Duke u kthyer pas në kohë mund të ishte më mirë të përdorja një adresë të dytë e-maili, si edhe një telefon të dytë, por në atë periudhe nuk mu duk ndonjë çështje me rëndësi. Gjithsesi unë kam kërkuar transparencë dhe zbardhjen të detajeve të adresës time jo qeveritare”, tha Clinton.

Për të shuar edhe kureshtjen e kësaj polemike thuajse një javore, ish-Sekretarja e Shtetit amerikan gjithashtu shtoi : Në fund të fundit unë vendosa t’i mbaja e-mail-et e mia private për planifikimin e dasmës së vajzës sime, funeralit të nënës, mesazhet me miqtë, apo për pushimet familjare. Kam përshtypjen se shumica e njerëzve e kuptojnë çdo të thotë respektimi i privatësisë”, shtoi ajo.

Republikanët në Kongres, gazetarët dhe avokatët janë duke kërkuar transparencë. Disa kanë pretenduar se Clinton mund të ketë shkelur rregulloret e Qeverisë, nëse jo ligjet federale. Megjithatë, kjo polemikë ka tendosur edhe marrëdhëniet me administratën “Obama”, e cila është gjendur përballë faktit se duhet të japë përgjigjen e të ashtuquajturit ‘skandali i email-eve të Clinton’.

Top Channel