Rasti “Ruby”, Gjykata e Kasacionit në Itali konfirmoi pafajësinë për Berlusconi-n

11/03/2015 00:00

Gjykata e Kasacionit në Itali la në fuqi vendimin e pafajësisë, e cila bëhet përfundimtare, për ish-Kryeministrin Silvio Berlusconi nga akuzat për shfrytëzim prostitucioni me persona minorenë.

Pas më shumë se 9 orësh në një seancë të mbyllur, gjyqtarët hodhën poshtë ankesën e Prokurorit të Përgjithshëm të Milanos, Pietro De Petris.

Në shkallën e parë lideri i partisë Forza Italia ishte dënuar me 7 vjet burg nga gjykata e Milanos, por gjykata e shkallës së dytë e shpalli të pafajshëm.

Vendimi u komentua menjëherë nga këshilltari politik Berlusconi-t, Giovanni Toti, i cili ka thënë se, “vendimi është një kompensim minimal i vuajtjeve të Berlusconi-t dhe bashkë me të të gjithë të moderuarit e së djathtës në këto vite”.

Top Channel