Kolumbia ndalon bombardimet ndaj FARC-ut

11/03/2015 00:00

Kolumbia do të ndalojë për një muaj sulmet me bomba ndaj rebelëve të FARC-ut. Lajmin e bëri të ditur presidenti i vendit, Juan Manuel Santos.

Ai theksoi se kjo është një shenjë e progresit në procesin e paqes në vendin amerikano-latin. Gjithsesi, Santos nënvizoi se sulmet ndaj grupit tjetër rebel, Ushtrisë Kombëtare të Lirisë, do të vazhdojnë.

“FARC-u deklaroi armëpushimin më 18 dhjetorin e kaluar dhe e kanë përmbushur premtimin e tyre. Me qëllim zbutjen e konfliktit, kam vendosur që forcat tona të armatosura të ndërpresin bombardimet në kampet e FARC-ut përgjatë një muaji”, tha Juan Manuel Santos në një dalje në televizionin shtetëror.

Negociatorët e FARC-ut janë në bisedime për paqe me qeverinë kolumbiane që nga nëntori i vitit 2012. Ata kanë arritur marrëveshje të pjesshme për një sërë çështjesh, përfshirë reformën agrare dhe pjesëmarrjen politike, por ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.

Top Channel