Akuzat e Doshit, dëshmon “porositësi” i atentatit

11/03/2015 00:00

Fatjon Skënderi, njeriu kyç në dosjen “Doshi”, ka dëshmuar për rreth 5 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas akuzave të ish-deputetit socialist se ai ishte ndërmjetësi që kishte kërkuar vrasjen e tij dhe të deputetit tjetër Mhill Fufi.

Kur ka dalë nga Krimet e Rënda, Skënderi ka zgjedhur të mos bëjë asnjë deklaratë për mediat.

Identiteti i Skënderit, i cili gjatë kësaj kohe është përmendur publikisht me emrin e shkurtuar Toni, u deklarua nga deputeti Doshi se i kishte kërkuar Durim Bamit që ta vriste, ndërkohë që ndërmjetësimi sipas Doshit është kryer me kërkesë të Ilir Metës.

Thuhet se Fatjon Skënderi është kthyer enkas për të dhënë deklaratën e tij në Shqipëri, ndërkohë që rezulton se prej gjashtë muajsh ai ishte larguar në Gjermani.

Në fakt, ajo që rezulton nga kartelat e policisë është se ndaj Skënderit është tentuar një atentat në vjeshtë të vitit 2014, çështje për të cilën është regjistruar edhe një procedim penal.

Pavarësisht rezervimit të tij para mediave, burime jo zyrtare bëjnë të ditur se ai u ka qendruar deklaratave që ka dhënë në një intervistë për shtypin, ku ka pohuar se e njihte Durim Bamin, por nuk ka folur kurrë me të për këtë histori.

Ai ka thënë gjithashtu se, ka ikur nga Shqipëria sepse ndihej i kërcënuar dhe se është i gatshëm të ballafaqohet me Bamin e këdo tjetër.

Top Channel