LSI, Luan Rama: “Vrasësi” nga Skrapari, i sëmurë mendor

11/03/2015 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në një deklaratë për mediat paraditen e së mërkurës, bëri me dije se “personi i ashtuquajtur vrasës nga Tom Doshi, është një i sëmurë mendor” dhe se “e gjithë kjo farsë është shndërruar në një parodi qesharake që duhet të marrë fund sa më parë”.

Në shkrimin e tij të gjatë në Facebook ditën e martë, deputeti Tom Doshi nxori në skenë një tjetër emër: “Jam informuar nga një i njohuri im se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dje (të hënën) është bërë një kallzim penal nga Petrit Cinari, një ish-oficer nga Skrapari. Në këtë kallzim është deklaruar se babai i Ilir Metës, rreth 1 vit e gjysmë më parë e ka thirrur Petritin në Gjirin e Lalzit dhe i ka kërkuar atij me porosi të Ilir Metës që të vrasë Tom Doshin. Ky person paska punuar bashkë me Rexhep Metën në ushtri dhe paska qenë qitës i shkëlqyer. Pas rikthimit të tij nga Amerika, babai i Ilirit e paska gjetur, ftuar në Gjirin e Lalzit dhe bërë ofertën makabre, e cila duket se nuk është pranuar nga Petriti. Ky person, me guximin e lavdërueshëm qytetar ka shkuar me vullnetin e tij të lirë dhe ka denoncuar këtë porosi të re vrasjeje. Këtë informacion mund ta konfirmojë Prokuroria.”

Luan Rama shtoi se “Prokuroria duhet të vërë para drejtësisë këdo që është i implikuar në një marrëzi të tillë” dhe pasi i tregoi mediave kartelën klinike të personit në fjalë, tha: “Ligji shqiptar e dënon përdorimin e të sëmurëve mendorë në kundërshtim me atë që parashikon kartela e tyre. Organi i akuzës ta bëjë edhe këtë element pjesë të hetimit, duke e thelluar atë edhe te manipulimi i të sëmurëve.”

Top Channel